Shkencëtarët britanikë në prag të gjetjes së vaksinës kundër koronavirusit

Shkencëtarët britanikë në prag të gjetjes së vaksinës kundër koronavirusit

Rezultatet tashmë janë përfunduar me sukses në minj dhe mund të jenë gati për testet njerëzore deri në qershor.

Eksperimentet janë duke u udhëhequr në “Imperial College London” nga doktor Robin Shattock

Ata kanë bërë thirrje për më shumë fonde derisa shtuan se një vaksinë mund të jetë në dispozicion vitin e ardhshëm.

Studiuesi i lartë, Dr Paul McKay i tha Daily Express: “Unë kam marrë rezultate nga një muaj pasi injektova vaksinë në minj dhe vaksina funksionon vërtet, vërtet mirë”.

Ekipi aktualisht po punon me shkencëtarë në Paris për të përcaktuar efektivitetin e vaksinës tek majmunët, shkruan Metro.

Dr McKay tha që ata kanë aplikuar për fonde shtesë nga Këshilli i Kërkimeve Mjekësore në mënyrë që të kryejnë provat klinike njerëzore.

Derisa shton se “nëse marrim fonde për provat klinike njerëzore, do t’ia vendosim njerëzve deri në qershor”.

“Nëse shkencëtarët britanikë këtu krijojnë një vaksinë do të ishte mirë sikur Qeveria t’i mbështeste ata”, shtoi  tutje McKay.

Nëse provat njerëzore do të jenë të suksesshme, ekipi thotë se ata kanë shpresë se vaksina do të jetë e disponueshme për pacientët brenda një viti.

Zhvillimet vijnë pasi Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të ndalojë tubime të mëdha publike si masë parandalimi ndaj pandemisë.

Deri tani 11 persona kanë vdekur në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa numri i rasteve të infektuara është rreth 800.

Javën tjetër, qeveria pritet të shpall masa urgjente që mund të përfshijnë dhënien e kompetencave të policisë për të arrestuar ata që dyshohen se janë infektuar dhe nuk pranojnë të izolohen.

Kryeministri, Boris Johnson është kritikuar për mos vendosjen e kufizimeve më të ashpra.

Organizata Botërore e Shëndetit ka thënë se Evropa tani është epiqendra e pandemisë. Dje, Maratona e Londrës u shty deri në tetor ndërsa Federata e Futbollit njoftoi Premier Liga do të pezullohet deri më 4 prill.