3 sekretet që duhet të dini para se të lyeni flokët me ngjyrat e guximshme blu, lejla, jeshile dhe rozë

Është e pashmangme të mos ktheni kokën pas sa herë që shihni ngjyra kaq të guximshme në rrugët e qytetit ku jetoni...

Është e pashmangme të mos ktheni kokën pas sa herë që shihni ngjyra kaq të guximshme në rrugët e qytetit ku jetoni, edhe pse prej shumë vitesh lejlala, bluja apo ngjyra jeshile smeraldi janë pjesë e trendeve më në zë të pasarelave e jo vetëm. Në qoftë se jeni tunduar që edhe ju të eksperimentoni me ndonjërën prej tyre, para se të ''mbini'' në derën e parukieres suaj, bëni mirë të lexoni 3 këshillat e mëposhtme pasi si çdo gjë tjetër edhe flokë e guximshëm kanë disa sekrete të cilat duhet t'i njihni me patjetër:

1.Duhet t’i dekoloroni para çdo lyerjeje: Në qoftë se menduat se do të mund të arrinit lehtësisht ngjyrën e smeraldtë që patë në katalog, gaboheni, pasi duhet t’i nënshtroheni me patjetër procesit të dekolorimit. Edhe pse e dini që dekolorimi është i dëmshëm pasi i bën flokët më të ashpër, të dobët e të hollë, është e vetmja mënyrë për të çelur bazën dhe përgatitur atë për një ngjyrë më uniforme. Në qoftë se doni t’i lyeni flokët në nuancat e rozës apo blusë pastel, duhet të përgatiteni për një proces dekolorimi më të gjatë i cili mund të zgjasë nga 45-50 minuta, por lyerja e tyre do të zgjasë më pak, thuajse 15 minuta. Gjithsesi këto shifra ndryshojnë në varësi të gjatësisë dhe dendësisë së flokëve.

2.Flokët do të jenë më thatë dhe si rrjedhojë lipset përkujdesje specifike: Në qoftë se deri para pak kohësh, menduat se mund t'ia hidhnit paq vetëm me një shampo dhe balsam të thjeshtë, tanimë në ritualin e përkujdesjes duhet të përfshihen produkte specifike të cilët hidratojnë vazhdimisht flokët dhe ruajnë pigmentin e ngjyrës së përzgjedhur nga shpëlarja e vazhdueshme. Gjithashtu nuk duhet të mungojnë maskat e ndryshme, ku si gjithmonë këshillojmë përdorimin e maskave me përbërës natyralë.                                                                                                                                   

3.Kujdes me temperaturën e ujit: Ky lajm me siguri nuk do t'u pëlqejë të gjithë atyre që mezi presin dushin për t'u qetësuar disa minuta nën ujin e ngrohtë e pse jo edhe të nxehtë që rrjedh. Në qoftë se doni që ngjyra e re e flokëve të zgjasë në kohë, parukierët rekomandojnë që t'i lani me ujë të ftohtë.


Warning: Use of undefined constant php - assumed 'php' (this will throw an Error in a future version of PHP) in /home/genstilc/domains/rtvaldi.com/public_html/footer.php on line 48