znj.Sinani ka pritur në kabinetin e saj Ministren e Vetëadministrimit Lokal, znj. Jelena Zhariq Kovaçeviq

znj.Sinani ka pritur në kabinetin e saj Ministren e Vetëadministrimit Lokal, znj. Jelena Zhariq Kovaçeviq

Postimi i plotë i kryetarës së komunës së Preshevës znj.Ardita Sinani:

Në takimin me Ministren e Vetëadministrimit Lokal, znj. Jelena Zhariq Kovaçeviq, theksuam domosdoshmërinë e trajtimit të disa çështjeve kritike për funksionimin efikas të Komunës së Preshevës.

Diskutuam me urgjencë rreth pasivizimit të adresave dhe ndikimit të tij në regjistrin e votuesve, një problem që kërkon zgjidhje të menjëhershme për të siguruar përfaqësim të drejtë në proceset zgjedhore.

Po ashtu, nënvizuam nevojën e zbatimit të plotë të Planit 7-pikësh për integrimin e shqiptarëve në institucionet qendrore, duke kërkuar masa konkrete për të garantuar përfaqësim të barabartë të qytetarëve tanë.

Gjithashtu, kërkuam mbështetje të shtuar për projekte infrastrukturore dhe fonde të rregullta nga shteti dhe Trupi Koordinues, të cilat janë të domosdoshme për përmirësimin e shërbimeve dhe zhvillimin afatgjatë të komunës.

Sigurimi i punësimeve të përhershme në administratë është një tjetër prioritet, pasi stabiliteti dhe funksionimi i mirë i komunës varet nga stafi i qëndrueshëm dhe i kualifikuar. Për më tepër, digjitalizimi i shërbimeve është një domosdoshmëri për të rritur transparencën dhe efikasitetin e administratës.

Kërkuam mbështetje të menjëhershme për përmirësimin e infrastrukturës edukative dhe kulturore, duke përfshirë ndërtimin e çerdheve, shkollave dhe institucioneve kulturore, të cilat janë kritike për edukimin dhe zhvillimin kulturor të brezave të rinj.

Një mbështetje e dedikuar për shoqërinë civile dhe aktivitetet sportive është gjithashtu thelbësore për fuqizimin e komunitetit tonë.

Bashkëpunimi  me Ministrinë mbetet vendimtar për të sjellë përmirësime të prekshme dhe konkrete në jetën e qytetarëve të Preshevës