Autoritetet shëndetësore britanike kanë bërë thirrje për vigjilencë nga publiku i tyre pasi katër marka të sirupëve të kollës, të shitura në supermarkete si Tesco dhe Asda, janë tërhequr nga tregu për shkak të dyshimeve për “kontaminim”.
Paralajmërimi vjen nga Agjencia për Rregullimin e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore (MHRA) në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas MHRA-së, produktet e prodhuara nga Bells Healthcare janë tërhequr pasi është zbuluar “material i huaj” në disa shishe të sirupëve.
Nuk janë dhënë detaje të mëtejshme mbi llojin e kontaminimit apo rreziqet që mund të paraqesë për shëndetin.
Produktet e prekura përfshijnë sirupët:
Tesco Health Dry Cough Relief
Asda Strong Dry Tickly Cough
Almus Dry Cough Relief
Bells Dual Action Dry Cough
Të gjitha këto shiten në shishe prej 200ml dhe janë shpërndarë në treg midis shtatorit 2022 dhe nëntorit të vitit të kaluar.
MHRA ka sqaruar se tërheqja është bërë për arsye parandaluese, pas një ankese të vetme nga një klient, ndërsa hetimet dhe analizat vazhdojnë.
Publiku këshillohet të kontrollojë produktet që kanë blerë dhe, në rast se kanë një nga këto marka, të mos i përdorin.