Italia sjell katër kupa të botës në Shkodër (Foto)

Sfida më e pritur e tifozëve shqiptarë në këto kualifikuese të Botërorit 2018 është ajo ndaj Italisë

Ambasada e Italisë në Tiranë dhe FSHF do të ekspozojnë 4 kupat e Botës, që “të kaltrit” kanë fituar, në një pavion të veçantë në Teatrin “Migjeni”.

Kjo nismë, e parashikuar me rastin e ndeshjes Shqipëri-Itali, e vlefshme për kualifikueset e zonës së Europës për në fazën finale të Kupës së Botës “Rusi 2018”, synon të vërë theksin e të vlerësojë ndeshjen e parë zyrtare në historinë e Kombëtares italiane të futbollit në Shqipëri.

Gjithashtu synon afirmimin e vlerave pozitive të sportit, si dhe të promovojë më tej miqësinë dhe marrëdhëniet në fushën e sportit ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.

Ekspozita do të jetë e hapur dhe pa pagesë për të gjithë tifozët e të dy skuadrave kombëtare të futbollit, në linjë me filozofinë e “FIGC”-së se kupat iu përkasin të gjithëve. /topchannel/