Sa më i varfër të jesh, aq më shumë shpreson që të bëhesh i pasur sa më shpejt. Në të gjithë botën njihet lidhja mes varfërisë dhe tendencës për të luajtur me loto, bixhoz, kazino etj. Në Amerikë p.sh., në lagjet e varfra luhet bixhoz sa dyfishi i lagjeve normale.
Nuk bën përjashtim as Shqipëria, ku sa vjen e shtohet shuma që banorët shpenzojnë për lojëra fati. Në vitin 2016, shpenzimet zyrtare për kazino, loto, bingo, baste, lotari ishin 15.2 miliardë lekë, ose gati 140 milionë dollarë, sipas të dhënave që “Monitor” ka përpunuar nga deklarimet zyrtare në bilanc të të ardhurave të subjekteve të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
Në krahasim me një vit më parë, shpenzimet e shqiptarëve në kërkim të fatit janë rritur me 15%, duke zhvlerësuar “përpjekjet” e qeverisë në 2013-n për të luftuar këtë fenomen, përmes aksionit “Fundi i Marrëzisë”, apo ndryshimeve legjislative për t’i nxjerrë kazinotë jashtë qytetit, por që për shkak të lobingjeve të forta, afatet shtyhen vazhdimisht (në 2019). Këto janë vetëm shpenzimet zyrtare, teksa nuk llogaritet informaliteti që vlerësohet i lartë në këtë sektor. Pak muaj më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit deklaroi se 375 milionë euro është shifra e të ardhurave të munguara që nuk janë mbledhur nga ana e institucioneve përgjegjëse për periudhën 2014-2016.
Nga deklarimet zyrtare, kazinotë elektronike rezultojnë kategoria ku shqiptarët tentojnë të provojnë fatin, në zgjedhjen e bardhë apo e zezë, lojërat me fruta, slot machines etj. Në subjektet e licencuara nga Autoriteti si kazino elektronike, rezultojnë të jenë shpenzuar 10 miliardë lekë, ose rreth 92 milionë dollarë. Kazinoja elektronike më e madhe në vend APEX – AL, e ndjekur nga ADRIATIK GAME, ASTRA ALBANIA Sh.a, TOP START.
Më pas janë shpenzimet për baste sportive me rreth 30 milionë dollarë, teksa në 2016-n ishte edhe Kampionati Europian.
Regency Kazino ka rritur të ardhurat me rreth 40% në 1.4 miliardë lekë.
Për lotaritë dhe bingot, shpenzimet janë më të ulëtat, në rreth 5-6 milionë dollarë.
Por, më shumë sesa individëve, që kërkojnë të bëjnë goditjen e jetës, fati u buzëqesh kompanive, që marrin 30-50% të të ardhurave si fitime dhe rezultojnë si sektori më fitimprurës në vend. APEX renditet në 10 kompanitë më të mëdha në vend për sa u përket fitimeve (1.3 miliardë lekë fitime), ndërsa ka një normë fitimi prej 51%.
VLT Albania raportoi 450 milionë lekë fitime, me një normë kthimi prej 42%. Fitimet e Regency International Casino Tirana u dyfishuan në 445 milionë lekë, me një normë fitimi prej 31%.
Astra Albania raportoi fitime prej 557 milionë lekësh, me një normë prej 27%. Normë më të ulët raportoi Adriatik Game, me 17%, teksa fitimet në vlerë absolute arritën në 353 milionë lekë.Pritet të shikohet se çfarë ndikimi do të japë në këtë aspekt futja në funksion e koncesionit të monitorimit të këtyre subjekteve, që ka hyrë në fuqi në mes të vitit të kaluar. Ky koncesion është kundërshtuar në Gjykatë nga Shoqata e Shoqërive të Lojërave të Basteve Sportive.