Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës Fehmi Mehmeti ka takuar drejtorin ekzekutiv të Këshillit të Investitorëve Evropianë Emrush Ujkani me të cilin ka diskutuar mbi situatën në sektorin financiar dhe masat e ndërmarra nga BQK për të ndihmuar në tejkalimin me sa më pak probleme nga pandemia.
Mehmeti ka thënë se BQK-ja që nga fillimi i shfaqjes së pandemisë ka qenë e angazhuar për të ndihmuar institucionet, ekonominë dhe qytetarët.
Ai ka bërë të ditur se pavarësisht masave të ndërmarra me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve nga COVID-19, sektori financiar ka mbetur stabil dhe likuid, si dhe ka ndihmuar gjatë tërë kohës ekonominë dhe qytetarët.
Nga ana tjetër përfaqësuesit e Këshillit të Investitorëve Evropianë përgëzuan guvernatorin Mehmeti për mbajtjen e sistemit financiar stabil dhe shprehën gatishmërinë që të rritin bashkëpunimin, me qëllim të ndihmës së ekonomisë.