Zhvillimi ekonomik, peng i aktiviteteve joligjore

Krimi ekonomik, evazioni fiskal, ekonomia joligjore dhe shkalla e lartë e korrupsionit, janë disa nga problemet që e kanë përcjellë Kosovën në...

Krimi ekonomik, evazioni fiskal, ekonomia joligjore dhe shkalla e lartë e korrupsionit, janë disa nga problemet që e kanë përcjellë Kosovën në këto 11 vjet të pavarësisë, e të cilat po vlerësohet se kanë ndikuar negativisht edhe në zhvillimin e saj ekonomik.

Me gjithë të arriturat në aspektin ekonomik, këto fenomene negative kanë penguar zhvillimin e aktiviteteve ekonomike në vend, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të komunitetit të bizneseve.

Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, tha për Radion Evropa e Lirë se këto fenomene janë trashëguar nga qeveritë e kaluara, por që ende janë të pranishme.

“Për këto 11 vjet, jemi duke u ballafaquar me probleme relativisht të mëdha në aspektin e zhvillimit ekonomik. Krejt aktivitetet ekonomike ende po karakterizohen me shkallë të lartë informalitetit, evazionit fiskal, me krim ekonomik i cili është relativisht i organizuar dhe i lartë dhe normalisht me shkallë të lartë të korrupsionit. Ne jemi të vetëdijshëm që këto probleme i kemi trashëguar, e dimë se ekzistojnë, janë të pranishme dhe e dimë që duhet të luftohen”, tha Shatri.

Edhe Aleanca Kosovare e Biznesit disa herë ka publikuar raporte që pasqyrojnë fenomenet negative në Kosovë, të cilat kanë penguar zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.

Kryetari i kësaj aleance, Agim Shahini tha për Radion Evropa e Lirë se këto fenomene mund të eliminohen nëse ekziston guximi dhe vullneti i spektrit politik.

“Ekonomia e vendit vuan nga disa sëmundje, por askush nuk ka guxim dhe gatishmëri për t’i shëruar këto sëmundje. Këto janë ekonomia joformale, krimi ekonomik, korrupsioni dhe pastrim i parave e haraçi”.

“Këto fenomene mund të eliminohen vetëm nëse institucionet e Kosovës do të kenë gatishmëri dhe pajtueshmëri politike për shëruar vendin një herë e përgjithmonë nga këto, në mënyrë që t’i hapet ekonomisë së vendit perspektiva, investimet e huaja për të cilën Kosovës i ka munguar vazhdimisht”, thekson Shahini.

Edhe Bashkimi Evropian në fund të vitit të kaluar i ka kërkuar institucioneve të Kosovës që të bëjnë edhe më shumë në kuadër të luftimit të korrupsionit, krimit të organizuar, por edhe terrorizmit.

Në anën tjetër, zyrtarë qeveritarë tashmë sa herë kanë pohuar se lufta kundër këtyre krimeve është përparësi e institucioneve të Kosovës. Madje, për luftimin e kësaj dukurie janë krijuar disa strategji e vizione ekonomike.

Në strategjinë kombëtare për parandalimin dhe luftimin e ekonomisë joformale, pastrimin e parave, financimin e terrorizimit dhe krimeve ekonomike për vitin 2014- 2018, thuhet se do të reduktojë shkallën e ekonomisë joformale në 5 për qind mes 2014 dhe 2018.

Kurse, gjatë vitit 2015 deri në 2018, vlera e konfiskimit të të ardhurave nga krimi duhet të jetë 1 milion euro për vit.

Por, Agim Shahini thotë se përveç shpenzimeve të mjeteve buxhetore për përgatitjen e këtyre dokumenteve, në terren situata është e njëjtë.

“Pikërisht për këtë ka pasur iniciativa të ndryshme nga shteti, duke krijuar strategji e duke shpenzuar miliona euro edhe për udhëtime të shumta. Jemi dëshmitar të Vizionit të zhvillimit ekonomik të Kosovës (i njohur si plani Bansko), që është miratuar nga Qeveria dhe asnjëherë nuk është zbatuar. Tentime të ndryshme, por realizimet mbeten ditore që i kërkon politika”, thotë Shahini.

Sidoqoftë, me ndryshimet e bëra në Kodin Penal të Republikës se Kosovës, i cili ka hyrë në fuqi më 1 janar të këtij viti, mundësohet ndjekja efektive e aktiviteteve kriminale në kontekstin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, rrjedhimisht janë ashpërsuar edhe dënimet.