Ronaldo udhëton drejt Madeiras për t’i qëndruar pranë nënës së tij

Ronaldo udhëton drejt Madeiras për t’i qëndruar pranë nënës së tij

Cristiano Ronaldo është nisur drejt Portugalisë për të qëndruar me nënën e tij në spital, pasi ajo ka pësuar goditje në tru.

Dolores Aveiro është dërguar në spitalin Dr Nelio Mendonca në Madeira në orën 5:00 të mëngjesit të të martës.

Mediat lokale kanë raportuar se ajo është e vetëdijshme dhe stabile,  ndërsa po i vazhdon ekzaminimet mjekësore për ta përcaktuar gjendjen e  saj shëndetësore.

Në ndërkohë, superylli i Juventusit do të arrijë me aeroplan privat  në Madeira sot (e martë) dhe do të kthehet në Itali nesër (e mërkurë)  për të luajtur në ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Kupës së Italisë  kundër Milanit.

Dolores ka pësuar goditje trunore si pasojë e iskemisë (mosfurnizimit  të mjaftueshëm me gjak nga ndonjë arterie trunore), të shkaktuar nga  ndonjë tromb (bllokim i qarkullimit të gjakut përmes mpiksjes brenda  arteries) – kanë raportuar mediat portugeze.

Nëna e Ronaldos i është nënshtruar trombektomisë mekanike (heqjes së  trombit nga arteria përmes kateterit) dhe tash është duke u rikuperuar.

Ajo po qëndron në kujdes intensiv, ndërsa familjarët kanë kërkuar që  të respektohet privatësia e 65-vjeçares, e cila është nënë e katër  fëmijëve.