Komuna e Prishtinës ka mbështetur financiarisht disa projekt-propozime për argëtimin e popullatës në periudhën e vështirë të COVID-19.
Përfitues të këtyre subvencioneve janë plot 56 persona, të cilët gjatë kësaj kohe kanë zhvilluar aktivitete të ndryshme online, në fushat: kulturë, sport, kuzhinë dhe edukim.
“#RrinShpi me neve” është titulluar kjo nismë me mbështetje financiare ndaj këtyre artistëve, edukatorëve e sportistëve – e që është mbështetur edhe nga Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Komuna e Prishtinës është treguar transparente duke publikuar listën me emrat përfitues të subvencioneve, shumën përkatëse që u është dhuruar gjithësecilit si dhe emrin e projektit që ata kanë realizuar.
Ndër emrat më të njohur që shihet të jenë pjesë e listës përfituese të subvencioneve janë humoristi Fatmir Spahiu dhe prezantuesi Mentor Shuki, të cilët kanë marrë që të dy mbështetjen financiare në vlerë 800 euro.
Fatmir Spahiu ka realizuar projektin e titulluar “Lajme pozitive gjatë pandemisë”, gjersa Mentor Shuki programin “Kur ndalen dritat”.
Këngëtari Shpat Deda është mbështetur me 500 euro për një koncert solo me kitarë dhe harmonikë të gojës, të cilin e ka zhvilluar online në rrjetet sociale, teksa këngëtarit Florent Abrashi nga Gjakova i janë dhënë 300 euro.
Në mesin e përfituesve janë edhe disa DJ të njohur nga Prishtina, të cilët me performancat e tyre live nën hashtagun #rrinshpimeneve, janë mbështetur nga Komuna e Prishtinës me shifra prej 300 deri në 900 euro, varësisht nga reputacioni i artistit dhe kohëzgjatja e performancës.