Unioni i Turizmit të Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka publikuar sot hulumtimin mbi ndikimin e pandemisë COVID-19 në sektorin e turizmit në vendin tonë.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se pandemia ka shkaktuar rënie të vizitorëve ndërkombëtarë dhe rënie të theksuar të të hyrave nga ky sektor, transmeton lajmi.net.
“Sektori i turizmit është ndikuar rëndë nga pandemia, ka rënë numri i vizitorëve ndërkombëtarë 70 për qind, ndërsa rënia e përgjithshme në të hyra është më shumë se 91 për qind”, tha ajo.
Ky sektor, sipas ministres Hajdari, është i një rëndësie të veçantë për zhvillim ekonomik dhe se Qeveria Kurti 2 do ta ketë prioritet zhvillimin e turizmit.
Drejtori i Unionit të Turizmit të Kosovës Baki Hoti duke theksuar se është hulumtimi i parë i këtij lloji, tha se ky hulumtim do të ndikojë edhe tek institucionet që ta mbështesin turizmin pasi sipas tij është shtyllë kryesore e ekonomisë dhe rritjes së punësimit.
Sektori i guidave është sektori më i prekur me 82.71 për qind në pandemi, pasuar nga sektori i akomodimit me 74.84 për qind, sektori i transportit ajror dhe rrugor me 71.26 për qind. Sektori i agjencive turistike, po ashtu, ka shënuar rënie me 66 për qind dhe gastronomia 55.53 për qind.