Poroshenko nuk shqetësohet nëse do të arrestohet pas kthimit në Ukrainë

Poroshenko nuk shqetësohet nëse do të arrestohet pas kthimit në Ukrainë

Ish-presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, i cili është larguar nga Ukraina në muajin dhjetor, ka thënë se do të kthehet atje pavarësisht thashethemeve se do të arrestohet menjëherë për akuza të lidhura me dyshimet për tradhti.

Poroshenko ka thënë gjatë një interviste për televizionin, Current Time se hetuesit kanë tentuar të krijojnë rast kundër tij se u ka ndihmuar separatistëve për të shitur thëngjill në Ukrainë në vlerë të 54 milionë dollarëve më 2014.

“Nuk do të përfundoj mbrapa grilave, nuk do të kenë aq kurajë, forcë apo gatishmëri për të vepruar ashtu”, ka thënë ai, kur ka diskutuar nëse beson se do të arrestohet sapo të arrijë në Ukrainë gjatë këtij muaji.

“Po kthehem, jo për të mbrojtur veten nga (presidenti Volodymyr ) Zelenskyi, por të mbrojë Ukrainën… ne duhet ta mbrojmë Ukrainën nga (presidenti rus, Vladimir) Putini, të mbrojmë shtetin nga autoritetet jokompetente, të kalbura dhe absolutisht të korruptuara”, ka thënë ai.

Në muajin dhjetor, Byroja Shtetërore për Hetime, ka thënë se Poroshenko është duke u hetuar zyrtarisht për tradhti, pas akuzave se ai ka “ndërmjetësuar aktivitete” të separatistëve që luftojnë me forcat qeveritare në lindje të Ukrainës nga viti 2014.

Si pasojë e luftimeve, kanë vdekur më shumë se 13.200 njerëz.

Poroshenko hedh poshtë akuzat dhe i konsideron të motivuara politikisht.

Më 6 janar, autoritetet ukrainase kanë thënë se një gjykatë në Kiev ka ngrirë pronën e Poroshenkos, në kuadër të hetimeve zyrtare.

Ish-presidenti 56-vjeçar, i cili është ligjvënës dhe lider i partisë opozitare, Solidariteti Evropian, ka mohuar të gjitha pretendimet dhe ka akuzuar autoritetet ukrainase se po kalojnë “vijën e kuqe”, duke akuzuar ish-kreun e shtetit për tradhti.

Nëse dënohet, ai përballet me burgim deri në 15 vjet.