Sinani: Asgjë nuk ka përfunduar deri sa nuk i shporrim vazalët e Beogradit nga udhëheqja e Preshevës

Sinani: Asgjë nuk ka përfunduar deri sa nuk i shporrim vazalët e Beogradit nga udhëheqja e Preshevës

Ardita Sinani, këshilltarja e kryeministrit Kurti dhe kryetarja e Degës së PVD-së në Preshevë, ka reaguar pas shpartallimit të koalicionit të Shqiprim Arifit dhe Sami Salihut me SNS-in

Sinani ka deklaruar që një epilog i tillë ka qenë e pritur pasi që i njejti fat i pret të gjith ata që gjejnë mbështetjen në Beograd.

Por, Ardita Sinani ka tërhequr vërejtjen se asgjë nuk ka përfunduar deri sa së bashku me qytetarët ta shporrim nga Presheva mentalitetin e qeverisjes së kufizuar nga kushtëzimet, shantazhimet e dirigjimet nga nëntoka e Beogradit, nga ata që Prishtinën e Tiranën e shohin armike të Preshevës e Luginës, ata që nderojnë me flamuj në gjysëmshtizë terroristë si Radojiçiqi e kriminel tjerë që vrasin polic shqiptar në Republikën e Kosovës, si dhe atyre që i pengon kur një deputet shqiptar e quan krim masakrën e Reçakut.

Reagimi i plotë i Ardita Sinanit

Dje Kuvendi Komunal i Preshevës e kishte afatin e fundit ligjor për të mbajtur seancë, në mënyrë që të mos futet në procedurat ku pushtetin e përcakton Qeveria e Serbisë.
Në fakt, që nga kontrabandimi i pushtetit nga trinomi i deri djeshëm qeverisës APN / LR / Lista Serbe, pushteti lokal ishte edhe i përcaktuar. Edhe i nënshtruar. Edhe i shantazhuar. E edhe i dirigjuar. Normalisht nga Beogradi.
Nga pazaret e turpshme të nëntavolinave të binomit Shqiprim & Sami me nëntokën e politikës në Beograd.
Asaj që ndodhi dje i parapriu e ashtuquajtura seancë e 23 korrikut e mbajtur tinëzisht nga këshilltarët, tinëzisht nga mediat e tinëzisht nga qyetarët në 8 të mëngjesit ditë e diel.
Mirëpo, për dallim nga shfaqja e turpit e 23 korrikut ku jetën politika ia vazhduan dy gishtat e dirigjuar nga Beogradi, pra ata të Listës Serbe, dje, të njejtit e fundosën.
Praktikisht, ky pushtet që ra dje, nga 23 korriku nuk ka pasur shumicë shqiptare në Kuvend.
Ky ishte “ndryshimi” i vetëm që iu servua shqiptarëve të Preshevës nga ana e Shqiprim Arifit, e i ndihmuar edhe nga Sami Salihu, i cili edhe patericë e tij pranoi të bëhet vetëm që të përfshihet në ujërat e turbullta të planifikuara nga nëntoka politike.
Por dje Shqiprimin e “tradhëtuan” dirigjuesit e shantazhuesit e tij. As “paterica” nuk e shpëtoi dot.
Mirëpo, asgjë nuk ka përfunduar!
Satelitëve e servilëve të tillë fundosjen finale në politikën preshevare do t’ia japin qytetarët.
Qytetarët prej të cilëve ikën, u frikësuan e u fshehën që nga viti 2021 kur e kontrabanduan pushtetin lokal në Preshevë.
Prej të cilëve tentuan t’i ikin përballjes të vetëdijshëm në çfarë vorbulle të turpit ishin futur.
Që nga sot të fillojmë bashkarisht punën e angazhimin intenziv që pushtetin t’ua rikthejmë qytetarëve. Që bashkarisht ta çrrënjosim oligarkinë nga qeverisja. Që ta shporrim nga Presheva mentalitetin e qeverisjes së kufizuar nga kushtëzimet, shantazhimet e dirigjimet nga nëntoka e Beogradit.
Le të angazhohemi nga sot që mos të na përsëriten më kurrë udhëheqës që Prishtinën e Tiranën e shohin armike të Preshevës e Luginës.
Le të mos na përsëritet kurrë më situata që Presheva të nderoj me flamuj në gjysëmshtizë terroristë si Radojiçiqi e kriminel tjerë që vrasin polic shqiptar në Republikën e Kosovës.
Le të mos na përsëriten më kurrë situata ku udhëhiqemi nga politikani i vetëm shqiptar në të gjitha trojet shqipfolëse të cilit i pengon kur një deputet shqiptar e quan krim masakrën e Reçakut.
E të punojmë që nga sot që asnjëherë mos të na përsëriten në udhëheqjen lokale, figura të tilla që janë në qendër të vëmendjes falë deklaratave të turpshme ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit të saj. Me fyerje, linçime e ofendime që nuk ia kalon asnjë politikan ultra nacionalist serb.
Ta rikthejmë Preshevën e Re!