Mali i Zi po rikthehet në Eurovizion pas një mungese dyvjeçare dhe do të zgjedhë një përfaqësues për këtë kompeticion në festivalin Montesong më 27 nëntor.
Edhe pse fillimisht ishte paralajmëruar se festivali do të zgjaste dy netë, edicioni final i Montesong do të mbahet në sallën sportive Voco në Podgoricë më 27 nëntor.
Danijel Alibabic, drejtor i festivalit, në një prononcim për portalin RTCG, tha se publiku në Mal të Zi do të ketë mundësinë të shijojë 16 kompozime dhe shfaqje të reja, si dhe bëri të ditur diversitetin në zhanre.
“Ne presim diversitet dhe hapje ndaj të gjitha zhanreve, në mënyrë që të ofrojmë gjithçka që na pëlqen të dëgjojmë më shumë. Besojmë se do të fitojë koncepti më i mirë, me një pjesë të madhe të audiencës në vendim. Po punojmë shumë për të gjitha segmentet për të justifikuar atë që tashmë e kemi paralajmëruar – se do të shihni festivalin më të mirë në rajon”, tha Alibabiq.
Në mesin e aplikantëve për konkurs janë edhe këngëtarja Jadranka Barjaktaroviq, së cilës iu ndalua hyrja në Serbi, këngëtarja Danica Crnogorçeviq, e cila dikur ndryshoi himnin malazez, si dhe këngëtari popullor Boban Rajovic.
Fituesi do të zgjidhet nga një kombinim i jurisë së ekspertëve dhe votave të audiencës. Juria e ekspertëve do të përbëhet nga profesionistë të njohur të muzikës, krijues të mediave dhe përfaqësues të organizatave që monitorojnë Eurosong, ndërsa audienca do të ketë të drejtën e 50 për qind të vendimit.
Raporti i votave do të përcaktohet sipas parimit të Eurovisionit – gjysma e jurisë, gjysma e publikut.