“Duam të martohemi me BE-në”, Rama e pranon: Nuk ka kapituj të lehtë!

“Duam të martohemi me BE-në”, Rama e pranon: Nuk ka kapituj të lehtë!

Nga Brukseli ku Shqipëria ka hapur sot grupkapitullin VI në negociatat për anëtarësim me BE-në, kryeministri shqiptar, Edi Rama e pranoi se pavarësisht përshpejtimit që i ka bërë Presidenca hungareze, procesi do të jetë i vështirë për t’u finalizuar.

Sipas tij, nuk ka kapituj të lehtë me Bashkimin Evropian, ndërsa nënvizoi se gjatë këtij procesi Shqipëria do të rritet dhe piqet si një shtet demokratik dhe i së drejtës.

“Nuk ka kapitull apo paragraf që është i lehtë me BE-në, pra çdo gjë duhet të kalojë me shqyrtim të hollësishëm, me bashkëpunim të ngushtë, nëpërmjet dialogut të përbashkët dhe mirëkuptimit ne presim siç e kam thënë të hapim grup kapitujt, por në të njëjtën kohë nuk po e gënjejmë veten sepse kjo ka për të qenë një punë e vështirë dhe ne do të bëjmë çdo hap, jo vetëm për të këmbëngulur në atë që themi por edhe të punojmë për të përmirësuar atë që bëjmë. Ndaj e vlerësoj shumë këtë proces pasi siç Komisionerja e tha shumë mirë, ndihmon vendin që të rritet, të piqet, të transformohet dhe të bëhet një shtet ku institucionet janë shumë më të rëndësishme se çdo gjë tjetër. Dhe kur i gjithë sistemi që punon si garantor për demokracinë dhe sundimin e ligjit, çdo gjë tjetër funksionon. Për këtë grup kapitull që kemi hapur sot, nuk ishte shumë e vështirë, pasi Shqipëria ka qenë gjithmonë në harmoni me politikat e BE sa i përket diplomacisë, sigurisë”, tha Rama.

Më tej, shefi i qeverisë shqiptare theksoi se ëndrra që Shqipëria synon të plotësojë brenda kësaj dekade është finalizimi i martesës me Bashkimin Europian dhe kthim mbrapa nuk do të ketë.

“Edhe vetë shqiptarët janë mbështetës për këto lloj politikash dhe ne kemi bërë një zgjedhje të qartë si komb që ne duam të martohemi me BE-në. Të harrojmë të gjitha divorcet e së kaluarës. Nuk ka kthim mbrapa, ka vetëm rrugë përpara dhe ne duhet t’i japim shqiptarëve atë çka po presin me shekuj. Dhe këtu po sjell një fjali emblematike të poetit tonë kombëtar, që është poeti i rilindjes sonë, që ka shkruar për shqiptarët: ‘Dielli lind aty ku perëndon, në Perëndim’”, deklaroi kryeministri.