Nuk është vetëm Gaza që presidenti amerikan ka komentuar gjatë 24 orëve të fundit.
Donald Trump u pyet nga një gazetar mbi qëndrimin e tij për okupimin e Izraelit në Bregun Perëndimor.
Ai tha se njerëzit “e pëlqejnë idenë” që Izraeli të kërkojë sovranitet mbi këtë territor, por “ne ende nuk kemi marrë një qëndrim për këtë”.
Ai shtoi se bisedimet me përfaqësuesit izraelitë janë në zhvillim dhe “do të bëjmë një njoftim ndoshta për këtë temë shumë specifike brenda katër javëve të ardhshme”.
Sipas Ligjit ndërkombëtar, Bregu Perëndimor është territor palestinez, megjithatë shumë izraelitë besojnë se ky territor është pjesë e atdheut të tyre biblik dhe duan sovranitet izraelit mbi të. Në të njëjtën kohë, vendosja e kolonive izraelite në këtë territor është e paligjshme sipas Ligjit ndërkombëtar.
Muajin e kaluar, Trump firmosi një urdhër ekzekutiv që i hoqi sanksionet ndaj kolonëve izraelitë të dhunshëm në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Sipas bbc, gjatë mandatit të tij të fundit, Trump e njohu Jeruzalemin, një pjesë e të cilit ndodhet në Bregun Perëndimor, si kryeqytetin e Izraelit dhe deklaroi se ambasada amerikane do të zhvendosej nga Tel Avivi.