Fatkeqësisht, kjo ka ndodhë tek ne viteve të fundit.
U kry. Edhe pak.
Ky duket që është përshkrimi më i shkurtër dhe më i sakt i seancës së Kuvendit të Kosovës, të mbajtur dy ditë rresht, të ndërprerë katër herë me gazin lotësjellës, në të cilën me tetëdhjetë vota për, më në fund u Ratifikua Marrëveshja për shenjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, gati tre vjet pas nënshkrimit të saj në Vjenë.
Me këtë votimin e deputetëve, nëse deri këtë të mërkurë, tre hapa na kanë ndarë nga Liberalizimi i vizave, i kemi bërë dy hapa të mëdhenj, dhe tash mbetet që të shënohen edhe disa rezultate konkrete në Sundimin e ligjit, ashtuqë deri kah fundi i vitit, edhe ne, qytetarët e Kosovës, të bëhemi si gjithë të tjerët nga kjo anë e Evropës, apo, të udhëtojmë pa viza në thuaja gjithë kontinentin e Evropës.
Shumë vite na ndajnë, ende, si shtet, që të integrohemi në Bashkimin Evropian. Por akti i udhëtimit të qytetarëve të Kosovës vetëm me pasaportë biometrike, i cili ka gjasa reale që të bëhet për festat e fundvitit, shënon sigurimin e të drejtës për një integrim personal, të të gjithë qytetarëve të këtij vendi, në BE/ Zonën e Schengenit. Ne pra, si qytetarë të shtetit të Kosovës, në këtë mënyrë, do të ‘certifikohemi’ qysh tash, individualisht, si qytetarë të Evropës. S’do mend që kjo do të jetë një arritje e madhe për secilin qytetar, por edhe për Kosovën si shtet.
E mbrama llogaritet, të tjerat harrohen. Kjo e mbrama, qoftë sukses apo dështim pra, përcakton vlerësimin final të një zhvillimi, çfarë ishte edhe gjithë ky rrugëtim i rëndë, i mundimshëm, i lodhshëm, madje edhe i rrezikshëm, i sigurimit të mbështetjes në Kuvendin e Kosovës për Marrëveshjen kufitare me një shtet mik, çfarë është pa kurfarë dyshimi Mali i Zi. Megjithatë, rendi do të ishte që të nxirren të gjitha mësimet që i kemi nxënë, të gjithë së bashku, në gati tri vitet e kaluara.
Njëri prej tyre, në mos qoftë edhe më kryesori, është që në trajtimin e këtyre temave, duhet të shterren të gjitha mundësitë që me një dialog të gjërë politik, me një transparencë maksimale publike, dhe me një qasje që është e përditshme para mediave, të krijohet një përkrahje e mirëfilltë për marrjen e një vendimi të rëndësishëm për vend.
Mësimi i dytë do të duhej të ishte që në adresimin e temave të kësaj natyre, të rëndësisë strategjike për Kosovën, që klasifikohen shpesh edhe si çështje të interesit nacional, nuk duhet të ketë ndarje në kampe qeveritare dhe opozitare. Por, në anën tjetër, të qenit opozitë, nuk do të duhet të thotë që do të duhej shfrytëzuar edhe temat e kësaj natyre, për të krijuar rrethana tepër të rënda politike dhe të sigurisë, siç edhe ka qenë në realitet rasti që prej vjeshtës së vitit 2015, e deri në çastet e fundit, kur ndodhi votimi për këtë Ligj shumë të rëndësishëm.
Ka kufi të cilët nuk do të duhej kurrë të kaloheshin, as nga qeveria, por as edhe nga opozita në një shtet demokratik. Por kjo na ka ndodhë vazhdimisht viteve të fundit në Kosovë. Për më shumë, nuk ka shenja që diçka e tillë nuk do të përsëritet edhe në të ardhmen e afërt, kur do të trajtohen temat e tjera të mëdha që na presin si politikë dhe si shoqëri. Tek e mbrama, vetë debati i gjatë parlamentar që u zhvillua të martën, me 20 mars, e dëshmoi këtë. Po mos ishte një bindje tek shumica dërrmuese e deputetëve të kësaj legjislature, (të atyre pra që votuan për Ratifikimin e kësaj Marrëveshjeje), që qytetarët e Kosovës, jo me këtë masën e dy të tretës parlamentare, por me një përqindje që tejkalonte bindshëm këtë masë të votës së kualifikar të duhur në këto raste, duan që kjo Marrëveshje të ratifikohet dhe që ata të udhëtojnë pa viza në Evropë, në Kuvendin e Kosovës, në politikën kosovare do të vazhdohej me të vjetrën, apo, tutje do të kishte përplasje të mëdha dhe tensione të larta në kërkim të vazhdueshëm të fajtorit që kemi mbërri në këtë gjendje, e jo në gjetje të shtegdaljes nga një situatë njëmend e rëndë dhe përçmuese për të gjithë ne, për qytetarët e Kosovës, që kemi mbetur të izoluarit e Evropës.
Për këtë shkak, me gjasë, meritat kryesore për vendimin e fundit të Kuvendit të Kosovës i takojmë vetë qytetarëve të këtij shteti.