Provokimi i kësaj të hëne, është vazhdimësi e politikës serbe që gjendjen në Veri ta mbajë të pashpresë për një integrim të mirëfilltë në sistemin politik të Kosovës.
Shkruan: Blerim Shala
Tensionimi më i ri në relacionet e Kosovës dhe Serbisë, që pati si burim të vetin dhe si pikë kulminante zhvillimet rreth Marko Gjuriqit dhe qëndrimit të tij ilegal në Veri të Kosovës, mund të shpjegohet, me saktësi të plotë teknike edhe në këtë mënyrë: Dy ditë pasiqë në Bruksel, të premtën, me 25 mars, Zonja Mogherini ishte nikoqir i një tjetër takimi në mes të Presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, u shënua tatëpjeta e madhe në raportet në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
Në rrethanat e tjera, një ngjarje e kësisojt pra, siç ishte zatën rasti edhe me atë trenin e ngjyrosur të Serbisë, në janarin e vitit të kaluar, do të ndikonte që Brukseli menjëherë t’i thirrte në takim autoritetet kryesore negociatore. Kësaj here, kjo nismë diplomatike nuk kishte kurfarë kuptimi. Për më shumë, ajo çfarë ngjau të hënën, ishte dëshmia më e mirë e mundshme që diçka (në mos shumëçka), në dialogun aktual në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe në mënyrën se si ai po organizohet dhe po menaxhohet nga Zyra e Përfaqësueses së lartë, nuk është në rregull. Ndërsa pas shpalljes së Strategjisë për zgjerimin e BE-së (në fillim të muajit shkurt), u sipërfaqësua përshtypja që do të krijohen rrethana të reja, më të volitshme, për të ecur para në bisedimet e Brukselit, për të mbërri tek Marrëveshja ligjërisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Në realitet, ndërmarrjet e këtij lloji, çfarë është dialogu i Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, me pretendime ambicioze historike dhe politike, për t’i dhënë fund epokës së konflikteve, përplasjeve, luftërave dhe tragjedive, nuk mund dot të ecin para pa krijuar një ambient pozitiv në te dy shoqëritë, si në atë serbe, ashtu edhe në këtë kosovare, për të lëvizur në drejtimin e duhur. Ndërsa një rekapitulim teknik i ngjarjeve që janë evidencuar që nga dimri i vitit 2016/2017, tregon të kundërtën: Treni famëkeq (dhe tragji-komik), muri i lartë që u rrënua pastaj, mos-hapja e urës në Mitrovicë, mos-zbatimi i disa Marrëveshjeve, pastaj, vrasja e Oliver Ivanoviqit dhe së fundit, edhe rasti me Shefin e Zyres për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, janë tabllo që vërtetojnë një vendnumërim në dialog, dhe një prapakthim në synimin për të krijuar një ambient pozitiv për Marrëveshjen historike në mes të dy shteteve.
Ky përshkrim në anën tjetër kallëzon që Veriu i Kosovës mbetet tutje hapësira/ territori ku ‘maten forcat’, dhe ku synohet përparimi apo prapakthimi në gjithë këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Veriu është treguesi më i mirë se çka po ndodhë në fakt në këtë dialog.
Synimi evident i lidershipit të Serbisë është që gjendja në këtë pjesë të Kosovës të mos ndryshojë fare, apo, që Veriu të mbetet vatër tensionesh të mëdha politike dhe të sigurisë, së paku për dy shkaqe: Për ta konfirmuar që Serbia efektivisht ende kontrollin një pjesë të territorit të Kosovës, dhe që pastaj, ky kontroll, do të duhej të materializohej në finalen e bisedimeve në mes të Prishtinës dhe Beogradit, qoftë përmes imponimit të opsionit të preferuar të autoriteteve serbe për ndarjen e Kosovës (shkëmbimin e territoreve), apo krijimit të një entiteti të veçantë politik serb në Veri të Kosovës (apo, edhe në të gjitha dhjetë komunat me shumicë serbe, me versionin serb të Asociacionit/ Bashkësisë).
Të gjitha argumentet negociatore të udhëheqësisë së Serbisë do të humbin vlerën, poqëse gjendja në Veriun e Kosovës do të ndryshonte, ashtu siç edhe është paraparë me vetë dialogun e deritashëm të zhvilluar në Bruksel, që prej vitit 2011 e këndej.
I gjithë provokimi i kësaj të hëne, me hyrjen ilegale të një zyrtari të Serbisë, në kundërshtim me Marrëveshjet dhe frymën e dialogut të Brukselit, kishte për synim pikërisht këtë gjë: Që gjendjen në Veri ta mbajë të rëndë dhe madje, të pashpresë për një integrim të mirëfilltë në sistemin politik dhe legal të Kosovës.
Ky rast pra, nuk është as i pari dhe as i fundit në këtë aspekt.
Natyrisht, në vijim u dha urdhëri edhe që ‘Lista Serbe’ të braktisë Qeverinë e Kosovës, me qëllim që të shkaktohet krizë parlamentare në Kosovë.
Teorikisht së paku, me një qasje të këtillë mbizotëruese të Beogradit zyrtar, nuk mund të pritet kurfarë rezultati pozitiv në periudhën e ardshme në dialogun e Brukselit.