Është e pamundur të ndryshojë politika kosovare, nëse sërish i bëjmë zgjedhjet pa amandamentuar Kushtetutën e Kosovës, dhe pa e ndryshuar Ligjin për zgjedhje.
Dy javë pasiqë me (pothuaj) tre vjet vonesë e Ratifikuam Marrëveshjen për shenjimin e kufirit të Kosovës dhe Malit të Zi, me të cilën gjë (më në fund), po krijohet mundësia që kosovarët të integrohen në Evropë, së paku si udhëtarë, duket që jemi përmalluar për ato javët para se të shënonim këtë sukses.
Së pari, njëmend ishte një arritje e madhe për politikën kosovare dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, votimi i kësaj Marrëveshjeje.
Së dyti, me vite të tëra nuk ka pasë në këtë politikën dhe shoqërinë kosovare një mobilizim të asisojt, për të cilin ishim dëshmitarë të gjithë ne që prej gjysmës së dytë të muajit shkurt, në dobi të një kauze përfituese për Kosovën. U bashkuan partitë qeveritare dhe opozitare, shoqëria civile dhe skena politike, qytetarët të rëndomtë dhe politikanë, me një qëllim të vetëm: Kuvendi ta merr vendimin e duhur, Kosovës t’i hapen dyertë për Liberalizimin e vizave.
Zhvillimet e mëpasme politike në vend, treguan shumë qartë (dikush mund të shtojë këtu: brutalisht qartë), që ky rrëfimi i suksesshëm i para disa javëve, ishte vetëm një përjashtim nga rregulli, i cili tash e sa vjet e ka kthyer politikën kosovare në një fushëbetejë permanente, ku përdoren të gjitha llojet e ‘municioneve’ politike, varësisht prej vetë rrjedhës së ngjarjeve në vend, me qëllimin e vetëm që të prishet një rend politik i krijuar nga një palë zgjedhje (që te ne që prej pavarësisë e këndej, janë gjithmonë të jashtëzakonshme), dhe për t’ia mësyrë sërisht vendvotimeve.
Në pesë pranverat e kaluara, zatën, që prej vitit 2014 e këndej, së bashku me ardhjen e stinës së pranverës mbërrijnë edhe rrëfimet dhe spekulimet për zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovës. Ndërlidhja e pranverës me zgjedhje parlamentare, ka marrë përmasa të mekanizmave të pashmangshëm, të paevitueshëm.
Kësaj here, së paku në rrethanat aktuale (preteksti këtu gjithnjë mund të ndryshojë, siç e dimë nga e kaluara), justifikimi për zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, ka të bëjë me veprimin e njohur të ‘Listës Serbe’, për dalje nga Qeveria e Kosovës, për shkak të ngjarjes së mirënjohur me Shefin e Zyres për Kosovë të Qeverisë së Serbisë.
Por, si rëndom, ky entitet politik nuk ka qartëstuar deri në fund raportin e vet me autoritetet supreme politike kosovare. Për më shumë, i ka bërë një ultimatum shumë problematik instancave sipërore institucionale të Kosovës, duke paralajmëruar bërjen e njëanshme të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, me 20 prill.
Nuk ka fare dyshim që një ultimatim i këtij lloji është mënyra më e gabuar e komunikimit politik në Kosovë, dhe ajo aspak nuk është në interes të këtij entiteti dhe as të qytetarëve serbë të Kosovës.
Sidoqoftë, tema e zgjedhjeve të reja në Kosovë, në rrethanat e kësisojta në vend, nuk mund të ofrojë një stabilitet pas-zgjedhor, qoftë në numrat e mbështetjes për Qeverinë e re, apo edhe me ngritjen e cilësisë së politikës kosovare si në Kuvend, ashtu edhe me Qeverinë që do të bëhej prej këtyre zgjedhjeve.
Mbi të gjitha, përvoja e dy palë zgjedhjeve të fundit parlamentare (në vitet 2014 dhe 2017), ka dëshmuar që burimi më i madh, në mos edhe kryesori për zhvillimet që morën trajtën e një krize pas-zgjedhore (të cilët më Kosova nuk mund ta përballojë, as si skenë politike dhe as si shoqëri), përkon me paqartësitë kushtetuese dhe ligjore të vendit, dhe me vet sistemin zgjedhor që aplikohet në Kosovë që prej vitit 2007 e këndej.
Është vështirë, në mos edhe e pamundur që të ndryshojë politika kosovare në përgjithësi, dhe cilësia e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës në veçanti, nëse edhe një herë i bëjmë zgjedhjet pa amandamentuar Kushtetutën e Kosovës, dhe pa e ndryshuar Ligjin për zgjedhje të përgjithshme.
Në këtë kontest, për shembull, do të mund të përgatitej edhe një Amandament kushtetues, i cili në mënyrën më të qartë të mundshme definon shumicën parlamentare të kualifikuar për t’i prirë procesit të krijimit të Qeverisë së re të Kosovës. Në këtë mënyrë, do të dihej shumë mirë kush mund të jetë mandatar për t’i prirë Qeverisë. Pastaj, është e domosdoshme që të qartësohet edhe procesi i zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, sepse me trashëgiminë kushtetuese nga viti 2010, objektivisht, vetë ky proces do të jetë në të ardhmen burim i tensioneve të mëdha politike.
Por, kush ka kohë të mirret me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës.