Ishte fillimi i viteve 60-ta, kur Adem Demaçi u martua me Xhemajlie Hoxhën. Por disa vjet pas martesës dhe lindjes së dy fëmijeve, Abetares dhe Shqiptarit, Demaçi arrestohet nga shteti atëhershem jugosllav.
Sikur nuk u mjaftonin vuajtjet që ia bënin në burg Demaçit, regjimi jugosllav nisi torturat edhe ndaj bashkëshortes së tij. Pos përcjelljes, marrjes në pyetje, diskriminimit Xhemajlien që punonte si mësuese në Prilluzhë të Vushtrrisë, e larguan nga puna.
Mësuesen e rrallë shqiptare e kthyen në pastruese në të njëjtën shkollë. Por gruaja e atdhetarit të madh nuk u dorëzua. Ajo vazhdoi t’i rris fëmijët derisa Demaçi po vuante dënimin “për veprimtari armiqësore” kundër Jugosllavisë.
Duke i ndjerë edhe vuajtjet e bashkëshortes, Demaçi i shkroi letër Xhemajlies. “I shkrova letër Xhemajlies ku kërkova të inicojë kërkesën për shthurje të bashkëshortësisë. Xhemajlia fillimisht refuzoi prerazi.
Më vonë u detyrua ta pranojë që ta sigurojë ekzistencën për vete dhe fëmijët. Menjëherë Xhemajlia u kthye në vendin e punës nga pastruese në mësuese. Unë u ndjeva shpirtërisht i lehtësuar”, kishte thënë Demaci në librin e Fahrudin Radonqiq “10 mijë ditë në burg”.
Por ndarja mes qiftit, në realitet, nuk ndodhi atëherë. Xhemajlia në emisionin “Lemza” kishte treguar se për ndarjen që ndodhi pas burgut të tretë.
Edhe pse, tregonte se e kishte përjetuar rëndë divorcin, Xhemajlia; kjo grua e madhe nuk e fajëson as Demaçin e as Dritën gruan e dytë të tij.
Duke e justifikuar këtë largim të Demaçit me rrethanat e krijuara të asaj kohe, Xhemajlia një ndër femrat e para të shkolluara në Kosovë, tregon për “Lemza” se e kishte ndjerë se bashkimi me Demacin do ndodhë një ditë.
Dhe ashtu vërtetë ndodhi. Demaci dhe Xhemajlia jetuan bashkë. Deri dje, kur vdekja e Demacit i ndau përgjithmonë.
Po si e përshkruante ribashkimin pas aq vjetësh Xhemajlia që rriti dy fëmijë dhe edukoi si mësuese shumë gjenerata?