Na ishte dikur “Camp Nou”, Barcelona gati të ndryshojë emrin e stadiumit!

300 milionë euro për t’i bashkëngjitur “Camp Nou”-t emrin e një sponsori gjigant....

Ky është plani i drejtuesve të Barcelonës që duan të mbyllin një marrëveshje sponsorizimi prej 300 milionë eurosh për të ripagëzuar shtëpinë e Lionel Mesit me shokë me një tjetër emër.

Siç përcjell e përditshmja spanjolle “Marca”, ideja është ajo që parashikon të mbyllet një akord për ta riemëruar stadiumin e katalanasve në muajt e parë të 2019-ës.

Për momentin bisedimet janë të hapura me disa kompani amerikane dhe aziatike dhe ato mund të mbyllen duke nisur nga fillimi i vitit të ardhshëm.

Drejtuesit e Barçës e kanë shpalosur prej kohësh opinionin e tyre, sepse një hap i tillë do t’i jepte klubit një tjetër dimension financiar për të konkurruar në nivelet më të larta në tregun botëror: “Ajo që ka rëndësi është marka, sepse në fund është ajo që të jep burimet për të qenë konkurrues”, ishin fjalët e drejtuesve të klubit që shoqëruan Barcelonën në turneun amerikan.

Turi i radhës në SHBA është bërë me qëllim për të vijuar zgjerimin e tregut të markës së klubit, ndërkohë që duke nisur nga viti 2019, nga Amerika dhe Azia klubi mund të spostohet në Kinë ose Japoni.