Dakordësi për “korrigjimin” e kufirit Kosovë-Serbi

Jemi përpara një mundësie për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë

Jemi përpara një mundësie për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, e cila mund të zgjidhë përfundimisht statusin e Kosovës, dhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë. Problemi është se ngërçi do të zgjidhet me shkëmbime territoresh. Shkëmbimi i mundshëm mund të bëhet ndërmjet veriut të Mitrovicës dhe Preshevës.

Në pamje të parë është një tezë e rrezikshme, duke parë nacionalistët që u vendosën menjëherë në llogoret përkatëse. Jo pa të drejtë. Referuar historisë, është e paimagjinueshme që Serbia të lëshojë territore ndaj asaj që ajo e quan “Shqipëri të Madhe”.

Por, a është kjo tezë e rrezikshme që në letër sjell paqe, vepër e Vuçiqit dhe Thaçit? Bazuar në faktet që dimë, ky skenar është i pamundur.

Nga njëra anë, Serbia, pavarësisht raporteve aktuale me Kosovën, është e interesuar politikisht të ruajë status quo-në, pasi serbët e Kosovës i ka si “kalë troje” për destabilizim të Kosovës por edhe më gjerë, gjë që e ndihmon në raste krizash për presion apo shantazh. Nga ana tjetër, Kosova nuk është në gjendje t’i imponohet Serbisë, dhe shkëmbimi i territoreve konsiderohet diçka ekstreme, në një kohë që serbët e kanë akoma Kosovën – me Kushtetutë – pjesë të territorit të tyre.

Mirëpo, presidenti i Serbisë, Vuçiç, tronditi opinionin, duke deklaruar përpara popullit serb dhe komunitetit ndërkombëtar për humbje të Kosovës: “Të gjithë serbët janë të vetëdijshëm se e kanë humbur Kosovën, por unë do të përpiqem të bëj gjithçka për të shpëtuar atë që mundem, në mënyrë që në fund të mos përballemi me poshtërim apo humbje totale”. Me këto fjalë duket se ai kërkon të përfitojë – të paktën – veriun e Mitrovicës. Por, me këtë lëvizje, Serbia fiton në një plan afatshkurtër dhe humb në një plan afatgjatë.

Serbia fiton një territor të banuar nga serbë, dhe humb të drejtën për të ndërhyrë në punët e Kosovës. Në skenarin e shkëmbimit të territoreve, serbët do të humbnin pothuajse tërësisht peshën politike në punët e brendshme të Kosovës, dhe për pasojë Serbia nuk do të kishte influencën aktuale në Kosovë, siç ndodh, për shembull, në Bosnjë.

Atëherë, për qartësi, perifrazojmë pyetjen e mësipërme, në formatin: Pse Serbia kërkon ta lëshojë tërësisht Kosovën?

Ndoshta përgjigjen mund ta gjejmë tërthorazi te reagimi i deritanishëm i faktorit ndërkombëtar, teksa akoma nuk është bërë fakt.

Përpara se të shqyrtohet ky reagim, vlen të përmendim raportin e publikuar më 28 nëntor 2017, “Balkans Forward: A New US Strategy for the Region” (“Përpara Ballkani: Një strategji e re amerikane për rajonin”) – një raport i përgatitur nga “Atlantic Council” – udhërrëfyes për diplomacinë amerikane.

Në të, thuhet se “… SHBA duhet të zbatojë një vizion dhe strategji bindëse” dhe “duhet të marrë hapa konkretë në një rajon në nevojë për stabilitet”. Përmbledhtas, raporti i rekomandon Departamentit të Shtetit”:

• “të krijojë prani ushtarake të përhershme amerikane në Kosovë”, gjë që e ka bërë, pasi thuhet se “Kampi Bondsteel në Kosovë është ideal për këtë qëllim” dhe do ta bëjë së shpejti në Shqipëri, me ndërtimin e bazës në Kuçovë); me anë të kësaj pranie, “SHBA do të demonstrojë përkushtim për sigurinë në rajon dhe do të krijojë influencë afatgjatë”;

• “të ndjekë një afrim me Serbinë”, gjë që do të arrihet “nëse Beogradi distancohet nga Rusia”; gjithsesi, është diçka që mund të realizohet me kompromis, pasi mënjanimi i Serbisë nga Kosova – dhe, pas kuintave, i Rusisë – do t’i linte SHBA-së shteg të hapur për influencë të plotë;

• “të rifitohet reputacioni amerikan si ndërmjetës i besueshëm”; sipas kësaj pike, SHBA do t’i kushtojnë rëndësi të madhe nxitjes së bisedimeve, Beograd-Prishtinë, për të arritur një “zgjidhje përfundimtare” (“endgame”).

Me këtë ndërhyrje amerikane, po vjen fundi i retorikës boshe dhe utopike se gjërat në rajon do të zbuten, dhe do të vendoset stabilitet me hyrjen e Bashkimin Evropian.

Në kontekstin aktual, më pak se një vit nga publikimi i raportit të mësipërm, është e çuditshme se si janë zhvendosur palët në qëndrimet e tyre.

Në vijim të rekomandimeve të raportit, javën e kaluar, SHBA deklaroi se ishte dakord me një kufi të ri. Vetë këshilltari i sigurisë kombëtare, John Bolton, deklaroi se “nëse të dyja palët mund të arrijnë marrëveshje, nuk përjashtojmë rregullime territoriale”.

Është i ditur qëndrimi i BE ndaj ndryshimeve të kufijve, por Komisioni Europian deklaroi se “e ka për detyrë që të mbështesë çfarëdo zgjidhje që arrihet mes dy palëve”. Kështu, në të kaluarën, BE nuk ka mbështetur shkëmbimin e territoreve, dhe në këtë rast “korrigjimi” i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë do të krijojë një precedent për të ardhmen, por aktualisht duket parimisht dakord. Kjo përforcohet edhe nga deklarata e komisionarit Johanes Hahn se “…. do të respektojmë qëllimin e rëndësishëm për stabilitet në rajon dhe kjo zgjidhje nuk duhet të nxisë ndonjë ide tjetër”.

Dakord me këtë korrigjim është edhe Rusia, e cila ka pasur më parë qëndrim të ngjashëm me BE dhe SHBA për ndryshime kufijsh. Rusia ka pranuar zyrtarisht se nuk do të pengojë një marrëveshje të tillë, në kuadër të procesit të negocimit nga BE (në tentativë për të shmangur rolin e SHBA?). Por, në letër, nga ana gjeopolitike, Rusia do të humbiste terren si pasojë e kësaj marrëveshjeje, ndonëse duhet të merren në konsideratë kompromiset e supozuara me SHBA. Në marrëdhëniet ndërkombëtare ekziston parimi give and take (marr e jap). Gjithsesi, në rast marrëveshjeje me mbështetjen e Rusisë do të kemi një shtet kosovar – anëtar i OKB-së. Nëse nuk e kundërshton Rusia, Kina nuk ka pse del kundër.

Është interesante se duket sikur Gjermania po e “prish” këtë lojë shahu, teksa është shprehur kundër. Gjermania – si udhëheqëse e Europës – nuk e miraton këtë precedent, sepse kjo lëvizje do të prishte kohezionin. BE do të përballej me katalanasit në Spanjë apo hungarezët në Rumani. Megjithëkëtë, së shpejti, Serbia dhe Kosova do të përgatisin një marrëveshje, duke ditur se SHBA, BE dhe Rusia do ta mbështesin vendimin e tyre.