Nëna nga Gjakova i mbijetoi operacionit 7-orësh në QKUK, por humbi binjakët

Muaji dhjetor mund të ketë qenë fatal për 37-vjeçaren nga Komuna e Gjakovës, Arlinda Himaj. Në javën e 25-të të shtatzënisë me binjakë...

Muaji dhjetor mund të ketë qenë fatal për 37-vjeçaren nga Komuna e Gjakovës, Arlinda Himaj. Në javën e 25-të të shtatzënisë me binjakë, asaj i janë paraqitur komplikime, duke e çuar kështu në një gjendje shoku, si pasojë e gjakderdhjes së madhe. Për ta mbajtur Arlindën në jetë, mjekët e QKUK-së punuan më shumë se shtatë orë në sallën e operimit. U deshën më shumë se 20 doza gjaku, që nëna nga Gjakova të mundë t’i mbijetojë operacionit. Por, për fat të keq ajo gjatë operimit humbi dy foshnjat.

Për disa ditë pas operacionit, Arlinda Himaj kishte qëndruar në Mjekimin Intensiv të Klinikës së Gjinekologjisë. Ajo ishte shtatzënë dhe mbante binjakë, të cilët ishin në javën e 25-të. Por për shkak të komplikimeve të saj shëndetësore, binjakët nuk kanë mundur të mbijetojnë. Gjendja e Arlindës ishte përkeqësuar më shumë sa ka mundur ta humb edhe jetën. Ajo iu nënshtrua një operacioni 7-orësh në Klinikën e Gjinekologjisë.

Disa ditë pas, Arlinda ka rrëfyer rreth gjendjes së saj shëndetësore. Shprehet falënderuese ndaj ekipit mjekësor që ka bërë trajtimin e saj gjatë këtyre ditëve dhe se pret me padurim që t’u bashkohet tri vajzave që ajo i ka lënë në shtëpi.

“Nuk më kujtohet asgjë, përveç fjalëve, më shpëtoni, më shpëtoni. Deri të shtunën në mbrëmje nuk mbajë mend asgjë”, ka thënë ajo për Express. Tutje ka deklaruar se pas operacionit i ka disa komplikime të vogla në zorrë. Por megjithëkëtë, ajo thotë se trajtimi nga ana e mjekëve në Gjinekologji ka qenë i mirë.

“Trajtimi ka qenë i mirë këto ditë”, thotë ajo.

Por, Arlinda Himaj vetëm disa ditë pasi është liruar nga Spitali ka marrë vesh që ka humbur foshnjat.