Taylor Swift thyen heshtjen, mbështet demokratët në zgjedhjet e mesmandatit

Taylor Swift thyen heshtjen, mbështet demokratët në zgjedhjet e mesmandatit

Ndërkohë që vet zotohet të luftojë për të drejtat e komunitetit homoseksual, barazi gjinore, si dhe për t’i dhënë fund racizmit “të tmerrshëm, të sëmurë dhe mbizotërues” në Shtetet e Bashkuara.

“Në të kaluarën kam qenë ngurruese për të shprehur publikisht mendimin tim politik, por për shkak të disa ngjarjeve që kanë ndodhur në jetën time dhe në botë përgjatë këtyre dy viteve të fundit, ndihem shumë herë më e lirshme rreth kësaj çështjeje tani”, shkruante Swift në rrjetet sociale që prej mesnatës së të dielës, madje duke u bërë thirrje fansave të saj të rinj që të regjistrohen dhe të votojnë.

“Unë kam votuar gjithmonë dhe do të votoj gjithmonë, bazuar mbi atë se cili kandidat do të mbrojë dhe luftojë për të drejtat e njeriut, që unë besoj se të gjithë ne meritojmë në këtë vend. Unë besoj në luftën për të drejtat e homoseksualëve dhe se, çdo formë diskriminimi mbi orientimin seksual apo gjininë është i gabuar. Unë besoj se racizmi sistematik që ne shohim në këtë vend kundrejt njerëzve me ngjyrë është i tmerrshëm, i sëmurë dhe dominues. Nuk mundem të votoj për dikë, i cili nuk ka vullnetin për të luftuar për dinjitet për të gjithë amerikanët, pavarësisht nga ngjyra e lëkurës, gjinia apo cilët njerëz dashurojnë ata”.

Në postimin e saj të gjatë, Taylor Swift mbështet demokratët në shtetin kyç Tennessee, duke theksuar se “nuk mundet të mbështesë” Marsha Blackburn, kandidaten republikane për Senat që ka marrë bekimin e Donald Trump javën e kaluar, e që ka votuar me Trumpin thuajse gjatë të gjithë kohës. Tennessee është një shtet kyç në zgjedhjet e mesmandatit. Ndërkohë që ka qenë një shtet republikan historikisht, sondazhet për Senatin tregojnë një garë të ashpër. Blackburn do të mundohet të ruajë karrigen e saj dhe të partisë së saj, përballë të rikthyerit, ish-guvernatorit demokrat Phil Bredesen.

Swift në fakt ka dhënë pëlqimin e saj për dy kandidatë demokratë. Veç Bredesenit për Senatin, ajo është bërë mbështetëse edhe e Jim Cooper për Dhomën e Përfaqësuesve.