Avdullah Hoti, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se Kosova ka qeverinë më të dobët.
“Me këtë përbërje që ka Qeveria, asnjë projekt madhor nuk mund të shtyjë përpara. Presioni nga partnerët e vegjël të koalicionit është e natyrshme që e bënë qeverinë jofunksionale”, ka thënë Hoti.
Më poshtë është shkrimi i plotë:
Kosova ka qeverinë më të dobët dhe më të brishtë që nga shpallja e pavarësisë. Mënyra si është themeluar koalicioni qeverisës e determinon progresin e dobët të qeverie.
Me këtë përbërje që ka Qeveria, asnjë projekt madhor nuk mund të shtyjë përpara. Presioni nga partnerët e vegjël të koalicionit është e natyrshme që e bënë qeverinë jofunksionale.
Këto 100 ditë të qeverisjes njihen vetëm për numrin enorm të zëvendësministrave, gati nga një në ditë i emëruar, dhe nuk dihet kur do të përfundojë.
Nuk kemi parë asnjë nismë madhore legjislative që ka nisur kjo qeveri. Vendi po shënon stagnim.
Luftimi i korrupsionit, si kusht për liberalizim të vizave, është kthyer prapë nga Bashkimi Evropian. Ky kusht ishte hequr gjatë Qeverisë Mustafa pasi konsiderohej se Qeveria kishte treguar përkushtim serioz në luftimin e kësaj dukurie gangrenë për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës.