Mbi 80 milionë euro për pensionet e veteranëve të UÇK-së në vitin 2019

Me gjithë dyshimet e prokurorisë për manipulime, veteranët e UÇK-së do të vazhdojnë t’i marrin pensionet e tyre edhe vitin e ardhshëm.

Mbi 63 milionë euro i kushtuan buxhetit të Kosovës pensionet e veteranëve për dhjetë muaj të vitit 2018, shkruan lajmi.net.

Kjo është bërë e ditur në një përgjigje për lajmi.net nga ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale.

36 mijë e 794 veteranë përfituan pensione në muajin janar të këtij viti. E të njëjtën periudhë ish-luftëtarët e UÇK-së i kushtuan buxhetit të shtetit rreth 6 milionë e 297 mijë euro.

Megjithatë, nga muaji në muaj, numri i atyre që përfituan pensione në emër të statusit të veteranit u rrit.

Në shtator, 38 mijë e 184 persona përfituan pensione. Para të shpenzuara ishin 6 milionë e 439 mijë euro.

Në total për dhjetë muaj, veteranët i kushtuan shtetit të Kosovës saktësisht 63 milionë e 533 mijë e 312 euro.