Si e sheh veten kur e imitojnë te ‘Portokallia’, ky është reagimi unik i Rudina Magjistarit

Janë të rralla personazhet që nuk e kanë parë veten, të paktën një herë në skenën e “Portokallisë” apo programeve të tjera të humorit.

Janë të rralla personazhet që nuk e kanë parë veten, të paktën një herë në skenën e “Portokallisë” apo programeve të tjera të humorit. 

Sidomos ata që spikatin, kanë batuta e kanë gjithmonë diçka të re për të thënë, që janë të dashur nga publiku e që bëhen familjarë sa herë dalin në ekran…

Në grupin e këtyre të fundit është edhe Rudina Magjistari. Moderatorja e njohur e Tv Klan numëron dhjetëra vite në televizion dhe është mësuar ta shohë veten “të pasqyruar” në disa forma a personazhe. Megjithatë, qëndrimi i saj origjinal, stili elegant, gjestet apo edhe mënyra e të folurit, janë bërë disa herë objekt humori në skenën e “Portokallisë”.
Rezart Veleshnjës i është dashur një parukë e bardhë, një grim si ajo dhe një fustan për t’u kthyer në njërin prej personazheve më të dashur të publikut. Natyrisht, ta imitosh nuk është aq e thjeshtë, por me nota humori (edhe kur janë paksa të ekzagjëruara), gjithçka prej Rudinës së vërtetë pritet me shumë sportivitet.

Pasditen e sotme, Rudina kishte të ftuar për herë të dytë në programin e saj Elton Ilirjanin, sipërmarrës dhe drejtues i një agjencie punësimi, i cili disa muaj më parë bëri bujë me deklaratën publike se është gay. Siç tha Rudina, ai program ka qenë një ndër më të komentuarit dhe më të ndjekurit, për shkak të një rrëfimi të hapur të Ilirjanit, pa doreza dhe pa kujdese për paragjykimet pas asaj studioje. Megjithatë, bëri bujë edhe në skenën e  “Portokallisë” – pikërisht aty ku humori i jep realitetit nota të tjera.
Duke ia kujtuar Ilirjanit atë program, Rudina tha se kishte dëshirë të ndaleshin pak e ta shikonin njëri-tjetrin se si i kishin imituar. Florjan Binaj, në rolin e Eltonit dhe Rezart Veleshnja në rolin e Rudinës: “Shikoje pak se si na kanë imituar te “Portokallia” ne të dyve. Është një program që ne e kemi realizuar pak kohë më parë. Më kanë imituar mua dhe ty” ,– tha Rudina duke ndjekur me të qeshur një sekuencë nga ajo pjesë e “Portokallisë”. Duke qeshur me rolin e saj, por më shumë me rolin e Ilirjanit, ajo tha: “Në fakt, ti ishe ai që ke spikatur në këtë rast më shumë, sepse edhe nga komentet këtë vura re. Ishte një personazh i arrirë” – tha Rudina ndër të tjera, duke e lënë pak mënjanë rolin e saj.
Ndërsa Eltoni tregoi se nuk e kishte parë “Portokallinë” për shkak se ishte duke u kthyer nga një udhëtim dhe pasi mbërritur, miqtë nguronin t’i tregonin hapur se ishte bërë personazh humori. Pasi e kishte parë, natyrisht, kishte qeshur shumë: “Është një kujtim shumë i bukur për ne të dy” – tha ai dhe Rudina e konfirmoi: “Humori është i bukur gjithmonë kur bëhet mirë…”
Për veten dhe interpretimin e saj nuk dha më shumë komente, por qeshi shumë edhe sot, ashtu siç bëri edhe kur e pa veten për herë të parë në skenën e “Portokallisë”. Edhe pse, ndoshta thellë-thellë, e di se, sido të jetë, me gjithë përpjekjet, e kanë të vështirë ta spikatin personazhin e saj.