Mesfushori i Manchester Unitedit, Juan Mata, e ka publikuar një blog, ku thotë se tani ka ardhur koha që brenda klubit të ketë më shumë optimizëm dhe ka kërkuar nga bashkëlojtarët e tij të punojnë më shumë për t’u ngritur në tabelë.
Manchester Unitedi arriti ta sigurojë një fitore me rezultat 5-1 në ndeshjen e parë me trajnerin e ri, Ole Gunnar Solskjaer, i cili do të qëndrojë në klub deri në fund të sezonit, kur do të kthehet te ish-klubi i tij, Molde.
Mourinho u shkarkua të martën pas disfatës që pësoi kundër Liverpoolit me rezultat 3-1, duke mbetur 19 pikë larg tyre në tabelën e Premierligës. Drejtuesit e klubit nuk ishin të kënaqur me portugezin edhe për shkak të deklaratave negative të tij, të cilat bënin që në klub të mbizotëronte një atmosferë e keqe.
“Pa asnjë dyshim, kjo është një ndër periudhat më të vështira sa i përket numrit të ndeshjeve që zhvillohen në futbollin anglez. Ne i kemi dy ndeshje në Old Trafford dhe duam që ta mbyllin dhjetorin në mënyrën më të mirë të mundshme: me dy fitore”, shkroi Mata.
“Sigurisht, kjo ishte një javë më ndryshe me një trajner të ri dhe dua ta falënderoj Josen për trofetë që i kemi fituar së bashku dhe t’i uroj fat në të ardhmen. Siç e dini, legjenda Ole Gunnar Solskjaer është shefi ynë i ri dhe ne nuk mund ta kishim nisur më mirë kthimin e tij në klub”.
“Ishte një fitore bindëse kundër Cardiffit dhe kjo do ta ngritë moralin e skuadrës para përfundimit të vitit 2018. Tani është koha që të jemi më optimistë, të shikojmë përpara dhe të vazhdojmë të punojmë shumë për t’u ngritur në tabelë. Jemi me të vërtetë të motivuar ta bëjmë këtë gjë duke i argëtuar tifozët, të cilët meritojnë shumë”.