Viti i ''korrigjimit''

Viti 2018 do të kujtohet për idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë, e cila u vlerësua e dëmshme për Kosovën. Gjithasht

Viti 2018 do të kujtohet për idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufijve me Serbinë, e cila u vlerësua e dëmshme për Kosovën. Gjithashtu ky vit do të mbahet mend për mosliberalizimin e vizave, si dhe për dështimin për t’u anëtarësuar në INTERPOL. Suksesi i vitit pa dyshim që ka qenë votimi për ushtrinë

Kosova e kaloi edhe një vit pa liberalizim të vizave, me ngecje në sjelljen e njohjeve, me dështim në anëtarësim në organizata ndërkombëtare, me nivel të lartë të papunësisë e me përplasje ndërmjet partive politike.

Tema më e përfolur e vitit ka qenë ideja e presidentit Hashim Thaçi për “korrigjimin e kufijve” me Serbinë. Ndërsa suksesi më i madh i këtij viti është votimi i Kuvendit për avancimin e misionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga ai civil në ushtarak.

Kurse përveç dështimit në procesin e liberalizimit të vizave, Republika e Kosovës nuk arriti të anëtarësohet as në organizatën më të madhe të policisë në botë, INTERPOL. Viti 2018, gjithashtu, shënon aktivizimin e Gjykatës Speciale, pasi disa figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare u ftuan për intervistim.

Dy përpjekje për shfuqizimin e Gjykatës Speciale

Viti 2018 filloi keq për Lëvizjen Vetëvendosje, pasi në fillim të janarit Visar Ymeri dha dorëheqje nga posti i kryetarit të kësaj partie e që u pasua edhe me dorëheqje tjera të figurave të rëndësishme nga partia e Albin Kurtit pas publikimit të një bisede në “Viber”, ku nënkryetarja e atëhershme e Vetëvendosjes Aida Dërguti e ofendon Kurtin.

Gjatë janarit ka pasur edhe dy përpjekje të deputetëve për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, por të cilat kanë dështuar.

Janari ka qenë i kobshëm për kryetarin e iniciativës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviq. Ai është vrarë në veri të Kosovës në mëngjesin e 16 janarit, ndërsa nuk dihet autori i këtij krimi. Vrasja e Ivanoviqit erdhi në kohën kur në Bruksel kishin filluar bisedimet Kosovë – Serbi, në atë që quhet faza finale e dialogut të Brukselit.

Pas dorëheqjeve të një pjese të anëtarëve të Vetëvendosjes kjo parti shpalli zgjedhjet e brendshme. I vetmi kandidat për kryetar ishte Albin Kurti, i cili mori 98,82% të votave.
Njohja e vetme e vitit 2018

Pak para se Kosova të festonte dhjetëvjetorin e shtetësisë erdhi njohja e vetme në këtë vit. Ishte Barbadosi ai që e pranoi mëvetësinë e Kosovës.

Në muajin shkurt presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij nga Mali i Zi Filip Vujanoviq nënshkruan një deklaratë të përbashkët për shënjimin e kufirit mes të dyja vendeve. Në këtë deklaratë të dy presidentët zotohen se do të ketë rishikim të Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit ndërmjet të dyja vendeve në pikat ku mund të ketë pasur gabime.

Ratifikimi i Demarkacionit, arrestimi i Gjuriqit dhe dëbimi i gylenistëve

Në mars Kuvendi i Kosovës e përfundoi “lojën” trevjeçare për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi. Katër përpjekjet e para për ta ratifikuar Marrëveshjen e Vjenës dështuan pasi deputetët e Vetëvendosjes hidhnin gaz lotsjellës në sallë të Kuvendit. Ndërsa në përpjekjen e pestë të ditës, me 80 vota për, u ratifikua Demarkacioni me Malin e Zi.

Po këtë muaj Kosova mori një lajm të keq, Agjencia e Akreditimit të Kosovës u përjashtua nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë.
Muajt kalonin, por dorëheqjet në Lëvizjen Vetëvendosje nuk ndaleshin dhe radha i erdhi kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmetit, i cili përmes një letre të dërguar medieve konfirmoi se nuk është më pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje. Po në këtë muaj u formalizua edhe grupi i ri parlamentar nga 12 deputetët e larguar nga Vetëvendosja.

Më 26 mars Policia e Kosovës e arrestoi në veri të vendit shefin e së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë Marko Gjuriqin, i cili kishte hyrë në Kosovë pa leje të Prishtinës zyrtare. Pas arrestimit të Marko Gjuriqit në Mitrovicë Lista Serbe nga Beogradi njoftoi se më nuk do të jetë pjesë e qeverisë “Haradinaj”. Nga ajo kohë ministrat serbë vazhdojnë ta kryejnë punën në dikasteret qeveritare, por nuk marrin pjesë në mbledhjet e Qeverisë.

Në fund të marsit drejtori i përgjithshëm i shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë Mustafa Erdem, zëvendësi i tij Yusuf Karabina, drejtori i shkollës në Gjakovë Kahraman Demirez dhe dy arsimtarë, Djihen Ozkan dhe Hasan Gunakana, u arrestuan dhe u dëbuan në Turqi me kërkesë të autoriteteve turke nën dyshimet se janë pjesë e organizatës së klerikut Fetullah Gylen. Kosova u kritikua për dëbimin e tyre pa vendim të gjykatës, ndërsa liderët institucionalë thanë se nuk kanë qenë të informuar për këtë rast.

Prill: Dorëhiqet shefi i AKI-së dhe ministri Sefaj

Pas skandalit të dëbimit të shtetasve turq, drejtori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës Driton Gashi në muajin prill ofroi dorëheqjen, duke iu përgjigjur kryeministrit Ramush Haradinaj në kërkesën për lirimin e detyrës. Bashkë më të shkoi edhe ish-ministri i Brendshëm Flamur Sefaj. Në vend të Sefajt erdhi Bejtush Gashi.

Ndërkohë, partitë parlamentare filluan të mbanin tryeza për arritjen e konsensusit për “temat e mëdha”. Tryeza e parë ishte thirrur nga partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës e më pas u thirrën edhe nga partitë tjera, por pa ndonjë efekt.

Maji: Të dorëhequrit e Vetëvendosjes e marrin drejtimin e PSD-së

Në maj Partia Socialdemokrate mbajti konventën e saj, delegatëve dhe mysafirëve iu drejtua kryetari i sapozgjedhur Shpend Ahmeti, i cili së bashku me të dorëhequrit tjerë të Vetëvendosjes iu bashkuan kësaj partie. Nënkryetar i PSD-së u zgjodh Visar Ymeri dhe sekretare e përgjithshme Aida Dërguti.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës, Prishtinën, me 66 vota pro.

Ndryshon mandati i EULEX-it

Nga ana tjetër, presidenti Hashim Thaçi përmes letërkëmbimit me përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme e Siguri, Federica Mogherini, njoftuan për përmbylljen e mandatit të deritashëm të EULEX-it. Në letërkëmbim parashihet përfundimi i mandatit ekzekutiv dhe reduktimin e rolit të EULEX-it në rol monitorues dhe këshillues në fazën e përmbylljes së misionit, ngase mandati i EULEX-it skadonte më 15 qershor të 2018-ës.
Ndërkohë në Bruksel, me ndërmjetësimin e Mogherinit, u zhvillua një takim mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçit dhe atij të Serbisë Aleksandar Vuçiq. Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pati thënë se ky ka qenë takimi më i vështirë në kuadër të dialogut të Brukselit, pasi të dy presidentët kanë qenë të ashpër në qëndrimet e tyre.
Komisioni Evropian konfirmon se Kosova ka plotësuar kushtet për liberalizim
Më 18 korrik Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, duke përfshirë edhe kriterin e ratifikimit të demarkacionit dhe të luftimit të korrupsionit. Në korrik Kosova u bë anëtare e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë.

Ndërkohë, Partia Socialdemokrate ia ka dorëzuar nënshkrimet e 12 deputetëve të saj Lidhjes Demokratike të Kosovës për inicim të mocionit për rrëzimin e Qeverisë.
Presidenti i Kosovës doli me idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë. Ai takoi liderët shqiptarë, të Luginës së Preshevës, pas të cilit takim kërkuan që Presheva, Bujanoci e Medvegja t’i bashkohen Kosovës.

Dorëhiqet prokurori Elez Blakaj

Muaji gusht solli dorëheqjen e ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj. Ajo pati thënë se po largohej nga ky post për motive personale. Në vend të saj erdhi anëtari tjetër i AKR-së, Fatmir Matoshi. Kurse Reshitaj më pas ka kaluar në Zyrën e kryeministrit, duke u bërë këshilltare politike e Ramush Haradinajt.

Kurse presidenti Hashim Thaçi përmes konferencave të shpeshta për medie vazhdonte ta proklamonte idenë e tij për korrigjimin e kufijve me Serbinë. Kundër kësaj ideje kanë dalë partitë politike, si dhe qeveria “Haradinaj”.

Në gusht prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, ka dhënë dorëheqje për shkak të kërcënimeve për punën e tij në rastin e veteranëve të rrejshëm të luftës. Ai ka shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vuçiq lartëson Millosheviqin në veri të Kosovës, PE-ja mbështet heqjen e vizave
Në fillim të shtatorit presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vizitoi veriun e Kosovës. Ai gjatë fjalimeve në veri e ka lartësuar “Kasapin e Ballkanit” Sllobodan Millosheviqin. Fjalimi i Vuçiqit në Mitrovicë është kritikuar ashpër nga zyrtarët kosovarë e madje edhe nga mediet në Kroaci e në Bosnjë.

Edhe Parlamenti Evropian ka votuar për liberalizimin e vizave për Kosovën. 420 deputetë kanë votuar për liberalizimin e vizave, ndërsa 186 ishin kundër, 20 të tjerë kanë abstenuar.

Gjithashtu në këtë muaj presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka kërkuar sqarime nga Gjykata Kushtetuese nëse marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruhen nga presidenti konsiderohen të ratifikuara ose nëse ato patjetër duhet të miratohen nga Kuvendi. Kjo kërkesë e Thaçit është vlerësuar si tendencë e tij për ta anashkaluar Kuvendin për marrëveshjen me Serbinë.

Më 29 shtator Thaçi vizitoi Liqenin e Ujmanit, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje organizoi një protestë në Prishtinë kundër idesë së Thaçit për korrigjimin e kufijve.

Emërohen ministrat e rinj

Kryeministri Haradinaj, me kërkesë të Nismës Socialdemokrate, emëroi Endrit Shalën ministër të Tregtisë dhe Industrisë pasi Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kishte mbetur pa ministër disa javë, pas dorëheqjes së ish-ministrit Bajram Hasani. Kurse ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, u zëvendësua nga Ekrem Mustafa.

Në muajin tetor u miratuan në lexim të parë tri projektligjet për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Dështimi në INTERPOL dhe taksa 100% për Serbinë

Debatet parlamentare për dialogun me Serbinë vazhduan edhe gjatë nëntorit. Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të miratojë rezolutën e Lidhjes Demokratike të Kosovës kundër angazhimit të presidentit Thaçi për “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Më 20 nëntor Kosova nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për të anëtarësuar në organizatën më të madhe të policisë në botë, INTERPOL. Serbia përmes fushatës së ashpër diplomatike ia doli ta pengojë Kosovën në këtë proces. 68 shtete votuan për, 51 kundër dhe 16 abstenuan.

Si kundërpërgjigje Qeveria e Kosovës mori vendim që taksa prej 10% të rritet në 100% për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka takuar presidentin e Rusisë Vladimir Putin në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ngjarje kjo e cila u shënua në Paris të Francës.

Gjatë nëntorit u tentua gjithashtu rrëzimi i qeverisë “Haradinaj” përmes një rezolute në Kuvend, por nuk u arrit megjithëse në sallë ishin mbi 60 deputetë, vetëm 37 deputetë votuan dhe në këtë mënyrë nuk u miratua rezoluta e propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Në nëntor u mbajt edhe mbledhja e pestë e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, në të cilën u nënshkruan 9 marrëveshje.

Katër kryetarë serbë të komunave veriore në Kosovë, ai i Mitrovicës së Veriut, i Zubin Potokut, i Leposaviqit dhe i Zveçanit, dhanë dorëheqje pas vendimit për taksën 100% ndaj mallrave serbe.

Votohet ushtria, nuk ndodh liberalizimi dhe aktivizohet Specialja

Në dhjetor kanë vazhduar reagimet ndërkombëtare për taksën e vendosur nga Qeveria e Kosovës 100% ndaj produkteve serbe. Bashkimi Evropian e ka quajtur provokim vendimin e Qeverisë së Kosovës.

Kosova ka mbetur jashtë agjendës së Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave. Komisionari i BE-së Johannes Hahn ka thënë se data më reale për liberalizimin e vizave është viti 2020.

Më 14 dhjetor Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, por pa ia ndryshuar emrin. Ky vendim është vlerësuar i ngutshëm nga NATO-ja dhe BE-ja, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë përkrahje Ushtrisë së Kosovës.

Gjithashtu dhjetori shënon aktivizimin e Gjykatës Speciale. Ajo ftoi për intervistim disa figura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – “Remi”, ish-komandantin e Zonës së Drenicës, Sami Lushtaku, ish-kryetarin e Gjykatës Ushtarake të UÇK-së, Sokol Dobruna e të tjerë. Në fund të vitit Kuvendi votoi edhe delegacionin shtetëror për dialogun me Serbinë, të cilin do ta kryesojnë Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, por rolin vendimtar në dialog do të ketë presidenti Hashim Thaçi.