Barcelona futet në garë për Edon Zhegrovën, i bën konkurrencë Milanit

Barcelona futet në garë për Edon Zhegrovën, i bën konkurrencë Milanit

Një ditë pas lajmit të bujshëm se Milani është duke shfaqur interesim të madh për lojtarin më të talentuar të Kosovës, Edon Zhegrovën, mediat e huaja raportojnë se edhe gjiganti katalonas Barcelona ka ngjallur interesim për 19-vjeçarin.

SportMediaset në Itali raportoi dje se Milani është duke menduar ta transferojë Zhegrovën si zëvendësues të turkut zhgënjyes Hakan Calhanoglun.

Tani, raportohet se gjiganti katalonas, bashkë me Milanin, është klubi që ka shfaqur interesimin më të madh për ta pasur në radhët e veta lojtarin premtues të Genkut dhe Kosovës. Zhegrova kaloi nëpër akademinë e të rinjve në St. Truiden Football Club, dhe që prej verës së 2017-es është pjesë e Genkut në ligën belge.

Në 27 ndeshje zyrtare për belgët, anësori kosovar, i cili mund të luajë në të dy krahët e sulmit, i ka shënuar 5 gola dhe ka dhuruar tri asiste.

Me Kosovën, ndërkohë, 19-vjeçari ka bërë tetë paraqitje që prej debutimit të tij në mars të 2018-es, duke i shënuar dy gola.  /Gazeta Express/