Edhe një legjendë e Man Utd i del në krahë Solskjaerit

Ole Gunnar Solskjaer duket se po fiton çdo ditë e më shumë përkrahje për të marrë vendin e punës si trajner, tek Manchester United.

Ish lojtari i ‘djajve të kuq’, i cili fitoi tripletën në vitin 1999, Andy Cole, beson se ish shokut të skuadrës së tij duhet t’i besohet puna e trajnerit.

“Mendoj se është më shumë sesa ndryshim i disponimit. Ajo që ai ka bërë i ka mahnitur të gjithë, jo vetëm klubin dhe lojtarët” ka thënë fillimisht Cole, për “BeIN Sports”.

“Man United po luajnë si Man United tani, ata po shënojnë gola dhe po luajnë futboll atraktiv. Nuk shoh ndonjë arsye pse mos t’i besohet pozita e trajnerit” ka thënë ndër të tjerash Andy.

Që kur Ole Gunnar Solskjaer e morri drejtimin e skuadrës, Manchester United nuk kanë pësuar asnjë humbje në kuadër të Premierligës.

‘Djajtë e kuq’ numërojnë vetëm një humbje me Solskjaer, nga përballja kundër Paris Saint Germain në Ligën e Kampionëve.