Sonte ne Camp Nou merr pjesë një tifoz i pazakonshëm (Foto)

Sonte ne Camp Nou merr pjesë një tifoz i pazakonshëm

Ndër rreth 100 mijë tifozët e Barcelonës të cilët do ta kenë mundësinë ta ndjekin sonte ndeshjen e skuadrës së tyre të preferuar në Camp Nou, kundër Lyonit, do të jetë edhe një tifoz, Anthony Borges, që do ta përjetojë Ligën e Kampionëve në mënyrë më të veçantë.

Më 14 shkurt të vitit 2018, një person i armatosur i kishte vrarë 17 nxënës në një shkollë të mesme në Florida të SHBA-së. Numri i të vdekurëve mund të ketë qenë edhe më i madh, po të mos kishte ndërhyrë Borges.

Borges, që atëherë ishte 15-vjeçar, i ndihmoi 30 shokë të tij të fshihen në një klasë, përderisa ai e mbante derën e mbyllur. Vrasësi i armatosur kishte tentuar të hynte në dhomë me dhunë, por veprimet e Borgesit bënë që ata t’i shpëtojnë vdekjes.

Mirëpo, Borges nuk e pati të njëjtin fat me shokët e tij. Ai u godit nga pesë plumba në shpinën e tij dhe jeta e tij ishte në rrezik. Kjo ngjarje ka bërë që ai të jetë në qendër të vëmendjes dhe pas shumë muajve trajtimesh mjekësore, ai u shërua plotësisht.

Anthony është tifoz i madh i futbollit dhe ai kishte qenë student në Akademinë e Barcelonës në Florida, në vitin 2016.

Kur Barcelona dëgjoi për këtë histori, i ofroi ndihmë familjes. Ish-presidenti Manel Arroyo e vizitoi Borgesin në shtëpinë e tij dhe e ftoi atë ta ndjekë në ndeshje në Camp Nou, kurdo që të shërohet.

Tani, 13 muaj pas kësaj ngjarjeje në Florida, ëndrra e Borgesit do të bëhet realitet dhe ai do ta përcjellë drejtpërdrejt ndeshjen e Barcelonës në Camp Nou. Ai dhe familja e tij arritën në Barcelonë dje dhe e vizituan stadiumin.

Pasi ta përcjellin ndeshjen kundër Lyonit, në kuadër të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, Anthony dhe familja e tij do ta vizitojnë muzeun e klubit dhe do të takohen me lojtarët e ekipit të parë, gjatë seancës stërvitore që do të zhvillohet nesër.

Kjo javë mund të bëhet edhe më e mirë nëse Barcelona arrin ta sigurojë një vend në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Për ta arritur këtë, djemtë e Ernesto Valverdes duhet ta mposhtin Lyonin që nuk di për disfatë këtë sezon në Evropë.