Përfaqësuesja e Kosovës ka barazuar me rezultat 1-1 ndaj Bullgarisë në takimin e parë të vlefshëm për eliminatoret e Euro 2020 të Grupit A.
Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të Kosovës, si në posedimin e topit ashtu edhe në raste, por ishin vetëm mysafirët që gjeten rrjetën.
Rasti i parë në ndeshje i takoi Kosovës që rrezikoi me anë të Milot Rashicës (9′), por vushtrriasi edhe pse kaloi portierin kundërshtar, topi iu largua nga një mbrojtës nga vija e portës.
Në pjesën e parë, Dardanët rrezikuan edhe ma anë të Bersant Celinës dhe Mërgim Vojvodës, por goditjet e tyre u ndalën nga portieri bullgar.
Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 39-të dhe ishte Vasil Bozhikovic, i cili shënoi me kokë për 0-1.
Në pjesën e dytë, ishte përsëri Kosova që dominoi ndeshjen dhe rrezikoi shumë deri në gjetjen e golit.
U desh të presim minutën e 62-të për të parë golin e barazimit 1-1, i cili erdhi pas një veprimi të mirë individual të Arbër Zenelit që shënoi një supergol nga distanca.
Pas golit të barazimit, Kosova vazhdoi sulmet e pareshtura në kërkim të golit të fitores, duke tentuar me anë të Zenelit nga goditja e dënimit, Rashicës dhe Edon Zhegrovës, por fati nuk ishte me ne dhe ndeshja përfundoi me barazim 1-1.
Me këtë barazim, ekipi jonë përfaqësues e sheh veten në pozitën e tretë me një pikë, ndërsa Bullgaria renditet e dyta me dy pikë.
Në ndeshjen e radhës, Dardanët udhëtojnë te fqinjët e Malit të Zi, ndërsa Bullgari udhëton te Çekia.