Klopp tregon bisedën që pati me Messin pas ndeshjes në Camp Nou: E pyeta pse e bën këtë?

Barcelona ka shënuar një fitore të madhe në ndeshjen e parë gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve ndaj Liverpoolit.

Katalunasit triumfuan me rezultat 3-0, në një ndeshje ku erdhi në shprehje aftësia e jashtëzakonshme e gjeniut argjentinas Lionel Messi.

Liverpool luajti një ndeshje shumë të mirë dhe ndoshta disfata prej tre golave nuk ishte e merituar për ta.

Në fundin e ndeshjes, trajneri gjerman Jurgen Klopp shkoi edhe e përshëndeti njeriun e takimit Lionel Messin.

Tani tekniku i Liverpool ka zbuluar edhe fjalët që ka shkëmbyer me numrin 10 të Barcelonës.


“Nuk e di nëse kam thënë diçka, vërtetë”, u shpreh Klopp, duke vazhduar:

“Në atë moment jam afruar dhe kam mundur t’i them ‘pse e bëre atë?!”, u shpreh gjermani duke iu referuar golit të jashtëzakonshëm që argjentinasi realizoi nga gjuajtja e lirë.

Klopp e pranon se skuadra e tij e ka jashtëzakonisht të vështirë për të shkuar në finale, edhe pse shpresa nuk është humbur.

“Ka ende shpresë dhe ky është futbolli. Ne nuk jemi në një situatë ku mund të themi se do të ndodhë kalimi 100 për qind, por është futboll dhe nuk i dihet”, vazhdoi tutje Klopp.

51-vjeçari thotë se do të provojnë të bëjnë një mrekulli, por nëse nuk ndodh kjo atëherë le të eliminohen në mënyrën më të bukur.

“Dy nga sulmuesit më të mirë në botë nuk janë të gatshëm për këtë takim dhe ne duhet t’i shënojmë katër gola për të kaluar tutje”.

“Për sa kohë që ne jemi 11 kundër 11 në fushë, do të përpiqemi që të festojmë kalimin në finale. Ky është plani”.

“Nëse arrijmë të bëjmë përmbysje do të jetë e mrekullueshme, nëse nuk mund ta bëjmë atë, le të dështojmë në mënyrën më të bukur”, përfundoi tekniku gjerman.

Liverpool dhe Barcelona ndeshjen kthyese të gjysmëfinales në Ligën e Kampionëve do ta zhvillojnë nesër (e marte) me fillim nga ora 21:00 në Anfield.