Rivaldo e do kthimin e Neymarit në Barcelonë

Rivaldo e do kthimin e Neymarit në Barcelonë

Kthimit të mundshëm të Neymarit në Barcelonë nga Paris Saint-Germaini i është dhënë miratimi edhe nga legjenda e Kombëtares së Brazilit dhe Barcelonës, Rivaldos.

Largimi i sulmuesit 27-vjeçar nga PSG-ja duket se do të ndodhë këtë verë, dy vjet pasi ai kaloi te kampioni i Ligue 1 nga Barcelona për 222 milionë euro, shumë kjo që e bën Neymarin lojtarin më të shtrenjtë në botë.

Braziliani nuk u kthye në Paris për ditën e parë të përgatitjeve parasezonale, përderisa drejtori sportiv i klubit francez, Leonardo, e ka konfirmuar se klubi është i gatshëm ta shesë brazilianin për një shumë të caktuar.

Dhe Rivaldo, i cili i kaloi pesë sezone në Camp Nou, dëshiron ta shohë bashkëkombësin e tij të kthehet në Barcelonë.

“Për momentin, braziliani që më pëlqen më së shumti është Neymari. Do të më pëlqente që ai të kthehet në Barcelonë”, ka thënë Rivaldo në një intervistë për Betfair.

Edhe pa Neymarin, i cili pësoi lëndim në kyçin e këmbës, Brazili arriti ta fitojë trofeun e Kupës së Amerikës të dielën, falë fitores me rezultat 3:1 kundër Perusë në finale.

Kur u pyet për yllin e ardhshëm të Kombëtares braziliane, Fituesi i Kupës së Botës 2002 Rivaldo e lavdëroi yllin e Real Madridit, Vinicius Junior.

“Ne e kemi Viniciusin, i cili është një lojtar i mrekullueshëm, i cili shkoi në Real Madrid dhe ka gjithçka të nevojshme për të qenë një futbollist i mrekullueshëm”, shtoi Rivaldo.

Neymari u largua nga Barcelona në rrethana jo edhe aq të mirë, për shkak se e detyroi largimin e tij edhe pse klubit më herët i kishte thënë se nuk do të largohej. Rivaldo kishte thënë muajin e kaluar se Neymari tani do të duhet t’i përmirësojë lidhjet me tifozët katalonas.

“Do të doja që ai të kthehet në Barcelonë sepse kjo do të ishte një gjë shumë e mirë edhe për skuadrën, edhe për të”, u shpreh Rivaldo në një ngjarje në Camp Nou.

“Shpresoj se ai do të kthehet, do ta ndryshojë mentalitetin dhe do të fillojë të luajë futboll. Nëse ai kthehet, Barcelona do të ketë gjasa ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve dhe pastaj do të harrohet gjithçka”.

“Pothuajse 70 për qind të tifozëve nuk e duan kthimin e tij. Kur topi përfundon në rrjetën e portës dhe nëse ai e fiton edhe titullin e Ligës së Kampionëve, atëherë të gjithë do të harrojnë gjithçka”.

“Kur arrihen fitoret dhe ai luan mirë, gjithçka ndryshon. Ai është në moshën më të mirë për të luajtur futboll, edhe më të mirë sesa kur Barcelona e fitoi tripletën”.