Jack Ma dorëhiqet nga pozita e shefit të Alibabas

Jack Ma dorëhiqet nga pozita e shefit të Alibabas

Jack Ma, miliarderi që filloi tregtinë elektronike në Kinë, zyrtarisht po tërhiqet si kreu ekzekutiv i Alibaba. Ai madje po e feston largimin e tij me një festë në një stadium me përmasa olimpike në qytetin ku kompania fillimisht u themelua, Hangzhou.

Pas dy dekadash dhe pas e bëri Alibaba një biznes prej 460 miliardë dollarësh, Ma po mendon filantropinë, si vazhdimin e jetës së tij pas largimit nga perandoria që themeloi. Ai e nisi fondacionin Jack Ma në vitin 2014 dhe gjithmonë është shprehur se si frymëzim për përpjekjet e tij bamirëse ka shërbyer fondacioni Bill dhe Melinda Gates.

“Jack ka sinjalizuar që para ca kohësh interesat e tij në filantropi, mjedis, fuqizimin e grave, arsim dhe zhvillim”, tha Duncan Clark, autori i “Alibaba: Shtëpia që Jack Ma ndërtoi”.

Nga ana tjetër, shtatorin e kaluar edhe pse nuk kishte asgjë konkrete nga largimi, Ma u shpreh “para se të mbush 70 vjeç, unë mund të bëj diçka në fusha të tjera si arsimi”.

Më pas, ai e njoftoi më zyrtarisht qëllimin e tij për të dhënë dorëheqjen një vit më parë. Pasi u largua nga menaxhmenti dhe bordi i lartë i Alibaba, ai pritet të vazhdojë të formësojë të ardhmen e kompanisë vetëm përmes anëtarësimit të tij në partneritetin Alibaba, një grup prej 36 personash që mund të emërojnë një shumicë drejtorësh në bord, ku ai zotëron ende rreth 6.22 për qind të kompanisë.

Anëtar i Partisë Komuniste, Ma është ndërmarrësi më i famshëm i Kinës, me një pasuri prej rreth 40 miliardë dollarë, që e bën atë njeriun më të pasur të vendit. Gjithashtu, si ish-mësues i gjuhës angleze dhe tepër i njohur për pasionin e tij për arsimim, Ma zgjodhi të tërhiqet zyrtarisht më 10 shtator, dita kombëtare e Mësuesve në Kinë. Kjo datë është gjithashtu ditëlindja e 55-të e Ma.

Ma iu referua karrierës së tij të mëparshme për të shpjeguar pse po tërhiqej nga ndërmarrja e tij.

“Mësuesit gjithmonë duan që studentët e tyre t’i tejkalojnë ata, kështu që është përgjegjësia ime dhe e kompanisë që të lejojmë njerëz më të rinj dhe më të talentuar të marrin përsipër rolet drejtuese”, tha Ma, shtatorin e kaluar.

Vitin e kaluar, ai foli për sfidat për të ardhmen e arsimit në Forumin Ekonomik Botëror, duke paralajmëruar se “nëse nuk ndryshojmë mënyrën se si mësojmë, 30 vjet më vonë do të jemi në telashe. Qasja aktuale e bazuar në njohuritë e mësimdhënies do të dështojë fëmijët tanë, të cilët kurrë nuk do të jenë në gjendje të konkurrojnë me pajisjet teknologjike. Fëmijëve duhet t’iu mësohen ‘aftësi të buta’ si mendimi i pavarur, vlerat dhe puna në ekip.

Në vitin 2017, fondacioni i Ma premtoi plot 45 milionë dollarë gjatë 10 viteve për të ndihmuar në zbulimin dhe kultivimin e talenteve të ardhshëm të mësimdhënies në Kinën rurale. Gjithashtu manjati i teknologjisë ka ndarë perspektivat dhe përvojën e tij në biznes në vende si Afrika, ku ka investuar rreth 10 milionë dollarë në nxitjen e ndërmarrjes.

Ma dhe Alibaba, njihen gjithashtu botërisht edhe për mbështetjen ndaj grave dhe përfshirjen më të lartë të tyre në ndërmarrje. Konferenca që ata organizojnë me këtë qëllim ka tërhequr emra të njohur botërisht si Arianna Huffington, Vera Wang apo Rihanna.

“Gratë kanë luajtur gjithmonë një rol integral në Alibaba që nga themelimi i saj dy dekada më parë,” është shprehur Ma, sipas të cilit barazia gjinore është një nga çështjet më të rëndësishme në shek. XXI, duke theksuar se, “nëse doni që biznesi juaj të ketë sukses, është thelbësore të emëroni udhëheqëse femra”.

Nëntorin e kaluar, Ma u nderua nga qeveria kineze si një nga 100 njerëzit që kishin dhënë “kontribute të jashtëzakonshme” në transformimin ekonomik të Kinës në katër dekadat e fundit.

Ma po largohet nga Alibaba në një moshë relativisht të re. Edhe në të kaluarën, ai ka thënë se dëshironte të largohej më herët se Bill Gates, i cili u tërhoq nga posti i kreut të Microsoft në moshën 58 vjeç në vitin 2014.