Klopp, i zemëruar për penalltinë e Napolit: Ishte e qartë që s’ishte penallti

Klopp, i zemëruar për penalltinë e Napolit: Ishte e qartë që s’ishte penallti

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, mbeti i zemëruar nga vendimi i gjyqtarit të ndeshjes Napoli – Liverpool për akordimin e një penalltie për nikoqirët, mirëpo shtoi se skuadra e tij nuk ishte në nivelin e duhur për ta fituar atë ndeshje.

Kampioni në fuqi i Ligës së Kampionëve, Liverpooli, u mposht me rezultat 2:0 nga nikoqiri Napoli në një ndeshje kontroverse të Grupit E, të martën, transmeton Gazeta Express.

Dries Mertens e shënoi një penallti në minutën e 82-të të ndeshjes, pasi Jose Callejon u duk se u rrëzua pas kontaktit minimal nga Andy Robertson në “Stadio San Paolo”. Vendimi i gjyqtarit u përkrah nga VAR dhe pastaj Fernando Llorente e vendosi fitoren në momentet e fundit të ndeshjes.

Pas humbjes, Klopp ishte i zhgënjyer me vendimin e gjyqtarit, edhe pse ai shtoi se priste më shumë prej futbollistëve të skuadrës së tij në fushën e lojës.


“Çfarë mund të them? Për mua, është e qartë se nuk ishte penallti pasi që Callejon u gjuajt në tokë para se të kishte ndonjë kontakt. Por, ne s’mund ta ndryshojmë këtë. Duhet të jemi kritikë ndaj vetes. Mund të kishim luajtur më mirë”, tha Klopp për BT Sport.

“Ata luajtën mirë në shumë pjesë, ne luajtëm futboll të mirë mirëpo s’i përfunduam rastet. I patëm rastet për të shënuar. Kishte momente kur ne e kërkonim ndonjë gjuajtje të lirë. Nuk e kuptoj se nuk u akordua gjuajtje e lirë kur Sadio Mane u rrëzua plot herë në fushë. Ti mendon: “Çfarë po ndodh këtu?””.

“Kjo e mbajti intensitetin e ndeshjes, mirëpo, siç thashë, ne e kontrolluam ndeshjen në shumë pjesë të saj, mirëpo në fund s’patëm shumë raste. Të dy skuadrat e respektonim njëra-tjetrën duke u mbrojtur mirë, mirëpo çdo top i humbur rezultonte në rrezik”.

“Ne i bëmë disa vendime që nuk ishin të duhura sonte dhe duhet ta pranojmë rezultatin”.

Si rezultat i kësaj ndeshjeje, Liverpooli e pësoi disfatën e parë të këtij sezoni, pasi i kishte fituar pesë ndeshjet e para në Premierligë.