Varane e do Mbappen në skuadër: I flas atij mirë për Real Madridin

Varane e do Mbappen në skuadër: I flas atij mirë për Real Madridin

Qendërmbrojtësi i Real Madridit, Raphael Varane, i cili do të përballet sonte me PSG-në, thotë se Kylian Mbappe do të ishte i mirëpritur në skuadrën madrilene, duke thënë se e do gjithmonë në skuadër.

Po të varej nga Raphael Varane, Kylian Mbappe do të ishte gjithmonë në skuadrën e tij. Qendërmbrojtësi francez zbuloi në një intervistë të dhënë për El Figaro se i flet gjithmonë mirë për Real Madridin Mbappes, transmeton Gazeta Express.

“Los Blancos” kanë qenë të interesuar për yllin e Paris Saint-Germainit që një kohë të gjatë dhe Varane, që luan bashkë me Mbappen në ekipin kombëtar të Francës, e përmendi atë para ndeshjes së sotshme mes dy klubeve në kuadër të Ligës së Kampionëve.

“Unë gjithmonë e dua Mbappen në skuadrën time – qoftë kjo në ekipin kombëtar apo edhe në klub. Unë i di cilësitë e tij dhe e di se ai është një futbollist i mrekullueshëm”, u shpreh Varane.

“Ai do ta kalojë këtë sezon në Paris, por ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Sa i përket Real Madridit, unë kam vetëm gjëra të mira për t’i thënë atij, mirëpo ai veçse i di ato”.

Megjithatë, Varane me Mbappe s’do të përballen mes vete sonte në “Parc des Princes’. Varane do të jetë në formacionin e parë të Zinedine Zidanit, mirëpo Mbappe s’do të luajë shkaku i një lëndimi. Varane po ndihet i lehtësuar nga ky fakt.

“Ne e pamë njëri-tjetrin gjatë ndeshjeve të ekipeve kombëtare dhe unë i thashë atij se do të ishte mirë nëse do të pushonte për ndeshjen kundër nesh”, tha Varane.

“Ai është një lojtar fantastik dhe unë ia uroj të gjitha të mirat, mirëpo ne do ta bëjmë të pamundurën sonte për ta mposhtur PSG-në – me apo pa Mbappen”.