Rizespori e kërkon hisen e tij nëse Fenerbahçe e shet Muriqin

Rizespori e kërkon hisen e tij nëse Fenerbahçe e shet Muriqin

Rizespori do ta kërkojë hisen e tij nëse Fenerbahçe e shet Vedat Muriqin. Klubi turk i kërkon 15% të parave nëse gjiganti nga Stambolli e shet përfaqësuesin kosovar në Tottenham apo Manchester United, dy klubet që po thuhet se e duan sulmuesin prizrenas

Vedat Muriqi është bërë objektiv i klubeve të mëdha evropiane pas paraqitjeve mbresëlënëse me Fenerbahçen dhe Përfaqësuesen e Kosovës, shkruan Gazeta Express.

Në fakt, sulmuesi kosovar ka realizuar dy gola me ekipin turk në sezonin e ri dhe dy të tjerë me Përfaqësuesen e Kosovës.

Ai shkëlqen në fitoren ndaj Republikës Çeke në fillim të shtatorit duke shënuar gol, ndërsa kundër Anglisë dhuroi dy asistime për Valon Berishën dhe shënoi gol nga penalltia, të cilën e nxori vetë.


Në stadiumin e Southamptonit, sulmuesin prizrenas e kanë ndjekur skautët e Tottenhamit dhe Manchester Unitedit.

Prandaj, ka mundësi që sulmuesi shtatlartë ta vazhdojë karrierën në Premierligë.

E këtij transferimi do t’i gëzohej shumë edhe Rizespori, klubi i deridjeshëm i Muriqit.

Drejtuesit e klubit turk po i fërkojnë duart pasi në rast se futbollisti shitet në Angli, ata do ta kërkojnë hisen e tyre.


“Siç dihet, nëse Fenerbahçe e shet lojtarin në Evropë, ne na takojnë 15% e shumës së shitjes së lojtarit. Ky fakt na bën ne të lumtur”, ka thënë presidenti i Rizesporit, Hasan Kartal për “Hürriyet”.

Mediat turke kanë shkruar se Fenerbahçe ia ka vendosur Muriqit çmimin e klauzolës për shkëputjen e kontratës prej 50 milionë eurosh.