Icardi: Tek Interi nuk fitonim asgjë, erdha në PSG për të fituar trofe

Icardi: Tek Interi nuk fitonim asgjë, erdha në PSG për të fituar trofe

Sulmuesi argjentinas thotë se u largua nga “Nerazzurri” për të fituar trofe me Paris Saint-Germainin

Mauro Icardi thotë se u transferua në Paris Saint-Germain për të fituar trofe, shkruan Gazeta Express.

Sulmuesi argjentinas ndërkohë ka shtuar se tek Interi nuk po fitonte asgjë, prandaj e kërkoi një sfidë të re.

Ish-futbollisti i Sampdorias ndien se ka arritur në atë pikë të karrierës kur ka nevojë të fitojë trofe.

“Unë erdha këtu të luaj. Nëse vjen këtu me opsionin për të të blerë, e di se lojtari duhet ta japë më të mirën për ta bindur klubin që të të blejë. Ne do të shohim se çka do të ndodhë verën e ardhshme”, ka thënë Icardi për “Canal+”.

“Unë isha në vitin tim të shtatë në Inter dhe ëndërr e imja ishte të luaja Ligën e Kampionëve me Interit, të cilën e bëra vitin e kaluar, por ne nuk fituam kurrrë asgjë”, shtoi ai.

“Mendova se kishte ardhur momenti për mua të largohesha, për t’u transferuar në një klub fitues, në një me të cilin mund të synojmë dhe të fitojmë trofe. Është koha për mua të filloj dhe të fitoj tituj. E vërteta është se PSG-ja e ka një ekip të mbushur me yje dhe kjo ishte ajo që e doja”, përfundoi sulmuesi i rrezikshëm argjentinas.

Icardi u huazua te PSG-ja për një sezon, ndërsa raportohet se gjiganti francez e ka opsionin e blerjes përfundimtare të përfaqësuesit argjentinas për 65 milionë euro.

26 vjeçari ka realizuar 111 gola në Serie A dhe në total 124 gola në të gjitha kompeticionet.

Ai është golashënuesi i tetë më i mirë në histori të “Nerazzurri”.

Me siguri, deklaratat e fundit të Icardit nuk do t’u pëlqejnë aspak tifozëve të Interit, me të cilët Icardi i kishte prishur punët kohëve të fundit.