Lionel Messi ka zbuluar se atij i kishte bërë shumë përshtypje 16-vjeçari Ansumanne Fati qysh në seancën e tij të parë stërvitore, por insistoi se mbi adoleshentin nuk duhet të bëhet presion i madh, përkundër potencialit të tij.
Ansumanne Fati e mori vëmendjen e tifozëve të futbollit qysh në debutimin e tij për Barcelonën muajin e kaluar, kur ai u bë futbollisti më i ri i klubit që nga viti 1941, duke hyrë në lojë nga stoli në ndeshjen kundër Real Betisit.
Pastaj, kundër Osasunas, sulmuesi i ri u bë golashënuesi më i ri në histori të Barcelonës , para se të bëhej edhe lojtari i tyre më i ri që ka luajtur në Ligën e Kampionëve për klubin katalonas, me paraqitjen kundër Borussia Dortmundit.
Pasi që anësori Ousmane Dembele u lëndua, 16-vjeçari u bë pjesë e ekipit të parë të Barcelonës nga akademia e famshme e klubit, La Masia, veçanërisht pasi që edhe Luis Suarez dhe Lionel Messi ishin të lënduar.
Në një intervistë pasi u shpall nga FIFA lojtari më i miri i vitit, Messi zbuloi se sa përshtypje i kishte lënë bashkëlojtari i tij i ri qysh në stërvitjen e parë me ekipin e parë.
“Ansu Fati e mori vëmendjen time që nga hera e parë që e pashë në stërvitje, por ne duhet të shkojmë hap pas hapi sepse ai është vetëm 16-vjeçar”, u shpreh Messi.
“Ai ende nuk e ka përgjegjësinë që të tjerët duan t’ia vendosin mbi shpatulla. Ai e ka potencialin për t’u bërë lojtar shumë i rëndësishëm, por ne duhet t’i ndihmojmë atij”.
Sulmuesi i ri ka qenë njëri ndër arsyet e vetme për t’u gëzuar për tifozët e Barcelonës, pasi që skuadra e Ernesto Valverdes radhitet e teta në La Liga, me pesë ndeshje të zhvilluara deri më tani.