Njihuni me Eriona Sejdiun – vajza që e përfaqëson Kosovën në “Miss Globe 2019”

Njihuni me Eriona Sejdiun – vajza që e përfaqëson Kosovën në “Miss Globe 2019”

Eriona Sejdiu është vetëm 19-vjeçe dhe këtë vit është përzgjedhur për të përfaqësuar Kosovën në “Miss Globe 2019”. Bukuroshja nga Prishtina merr pjesë për herë të parë në një garë të tillë bukurie të nivelit kaq të lartë dhe kjo për të është një arritje shumë e madhe.

Ajo studion shkencat juridike në Prishtinë dhe jeta e saj përtej fushës së modës është po aq normale sa e një 19-vjeçareje të zakonshme.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Eriona zbulon detaje nga jeta e saj jashtë kompeticionit ndërkombëtar, një vajzë e thjeshtë me shumë synime në jetë, e që në të ardhmen dëshiron të bëhet e zonja e vetes, me një punë dhe jetë stabile.

Ajo po ashtu krejt në fund ka dhënë edhe një mesazh shumë domethënës për të gjithë ata që dëshirojnë të arrijnë diçka në jetën e tyre.

Eriona, ju jeni vetëm 19-vjeçe dhe jeni përzgjedhur për të përfaqësuar Kosovën në “Miss Globe”?. Si të bën të ndihesh ky fakt?

Kjo për mua është një arritje shumë e madhe, kam kënaqësinë të përfaqësojë shtetin tim në një moshë kaq të re.

Kanë nisur përgatitjet për kompeticionin ndërkombëtar?

Përgatitjet kanë filluar që nga data 5 tetor dhe tani jemi gjatë gjithë kohës në lëvizje, për t’u përgatitur dhe për të treguar veten sa më mirë.

Ka qenë një dëshirë e hershme pjesëmarrja në kompeticionin në fjalë, apo ishte gjithçka rastësore?

Ftesa ka qenë super spontane, nuk e kam menduar kurrë që do marrë pjesë në modeling apo gara të bukurisë.

Në mesin e shumë shteteve garuese, a mendoni se do arrini të rrëmbeni kurorën?

Duke qenë se janë afro 55 shtete, është shumë e vështirë pasiçë konkurenca është shumë e madhe dhe vajzat janë secila më e bukur se tjetra, por presim të shohim se çfarë do ndodh në vazhdim.

Po, përveç modelingut ke pasione të tjera?

Modelingu më pëlqen shumë, por përveç tij unë kam pasion aktrimin edhe muzikën dhe gjatë gjithë kohës jam e shoqëruar me to.

Jeta jote përtej fushës së modës është po aq normale sa e një 19-vjeçareje të zakonshme? Na trego pak më tepër rreth përditshmërisë tënde?

Jeta ime e përditshme është super e thjeshtë, zakonisht zgjohem herët kur kam ligjërata apo kur dalë për vrap, shkoj në palestër dhe tregohem shumë produktive. Mirëpo janë edhe ato ditët kur unë kam dëshirë të flej deri mbasdite dhe shikoj filma e seriale gjithë ditën..

Me siguri që jeni akoma duke e ndërtuar të ardhmen, çfarë synimi ke? A është modelingu profesioni ku e shihni veten?

Modelingu personalisht më pëlqen më shumë si hobi. Kam dëshirë që të në ardhmen të krijojë një jetë e punë stabile, ku nuk pres asgjë prej askujt.

Kush ju ka mbështetur më shumë gjatë këtij rrugëtimi? A ka patur nga ata persona që nuk ishin dakord me pjesëmarrjen në këtë konkurs botëror?

Për mbështetje e kam pasur gjithmonë familjen, shumë përkrahëse që i falenderoj shumë, edhe pse babai në fillim nuk ka qenë edhe aq entuziast për pjesëmarrjen, por mbas disa kërkesave kemi arritur në një pikë, kur vendosëm për gjërat e mia.

Tanimë është vërtetuar se të qenurit pjesë e kompeticioneve të bukurisë të hap rrugë në botën e televizionit, a ishte ky një nga qëllimet e juaja?

Është shumë e vërtetë që të hapen rrugët për famë dhe karrierë, por unë mund të them lirshëm se nuk kam pasur as idenë më të vogël e as pretendim në këtë rrugë, po ja që pata fat.

Cili do ishte mesazhi i juaj, për të gjithë ata që kanë ëndrra e synime në jetë?

Nëse une do arrij diçka në jetën time, veç do jem përkrahëse e madhe e të gjithë atyre që kanë ëndrra e qëllime në jetë edhe të ju them që askush nuk mundet të bëjë diçka për juve, sa ju mundeni për veten.