Elvana Gjata me koncert recital në Tiranë

Prej më shumë se një viti tashmë këngëtarja Elvana Gjata është larguar nga Shqipëria, për të krijuar karrierën e saj muzikore jashtë vendit.

Gjatë kësaj periudhe ajo ka publikuar klipin e parë në anglisht “Forever is Over” me David Guettën, një ndër artistët më të famshëm në botë.

Gjithashtu pak kohë më parë solli dhe versionin akustik të kësaj kënge duke rikonfirmuar edhe njëherë aftësitë e saj vokale. Në rrjete sociale e kemi parë gjithnjë e më aktive me sete fotografike, momente udhëtimesh, takime etj duke treguar se Elvana nuk humb asnjë sekond për të realizuar qëllimet dhe ëndrrat e saj.

Megjithatë në asnjë çast ajo nuk e ka larguar Shqipërinë nga vëmendja e saj dhe fakt për këtë është edhe koncerti që do të mbajë në Tiranë. Sipas burimeve të Gazetës Express mësohet se data e koncertit është caktuar e shtuna e 3 shkurtit, datë e cila përkon edhe me ditëlindjen e Elvanës.

Këngëtarja do të realizojë një koncert me shumë pak të ftuar special, në një nga hotelet më të njohura në vend,  ku do të performojë live këngë të reja. Si kompozitorin e saj pas shkëputjes përfundimtare me Flori Mumajesin dhe Threedots, Gjata ka zgjedhur t’i besojë kantautorit të njohur shqiptar Pirro Çako, i njohur për stilin e tij unik në bërjen e baladave.

E pikërisht burime për Express bëjnë të ditur gjithashtu se Elvana atë mbrëmje do të këndojë për herë të parë disa balada të reja të kompozuara nga Çako, duke kujtuar këtu edhe versionin akustik prej 5 baladash që ajo solli vite më parë me rastin e festës së Shën Valentinit.

Ky është vetëm një nga projektet e shumta të këngëtares mjaft të dashur nga shqiptarët.