Suarez e pranon: Barcelona mund ta transferojë një qendërsulmues tjetër

Suarez e pranon: Barcelona mund ta transferojë një qendërsulmues tjetër

Sulmuesi i Barcelonës, Luis Suarez, e pranon se nuk do të ishte e çuditshme nëse klubi katalonas do të vendoste ta transferojë edhe një tjetër lojtarë për pozitën e qendërsulmuesit.

32-vjeçari Luis Suarez tani është në sezonin e tij të gjashtë në Camp Nou, pasi u transferua nga Liverpooli në vitin 2014 pas një Kupe të Botës kontroverse për Kombëtaren e Uruguait.

Sulmuesi ka arritur t’i lërë të gjitha ato incidente kontroverse prapa vetes dhe ka qenë një titullar kyç në skuadrën e Barcelona – duke i shënuar të paktën nga 20 gola në të gjitha garat për çdo sezon që nga ardhja në Spanjë.

Përderisa ai e pranon se nuk është aspak e lehtë të luash për klubin katalonas, Suarezi dëshiron ta dëshmojë vlerën e tij dhe e ka pranuar se klubi mund të jetë duke e kërkuar një tjetër qendërsulmues.

“Kërkesat në Barcelonë janë të mëdha. Çdo tre ditë, ti e ke një test. Nuk ka pushime dhe nuk të falet nëse e luan një ndeshje keq. Nuk është e lehtë të luash në një klub si Barcelona, të përshtatesh dhe ta fitosh vendin tënd”, ka thënë Suarez.

“Unë duhet ta respektoj faktin që i kam kaluar pesë vjet në këtë klub, duke e përballuar këtë presion dhe gjithmonë tentoj të përgjigjem në mënyrën e duhur. Nëse klubi është në kërkim të një qendërsulmuesi tjetër, nuk do të ishte e çuditshme, ky është realiteti në futboll”.

“Do të vijë një kohë kur mosha ime s’do të ma lejojë të luaj në nivelin që kërkohet nga Barcelona. Por, përderisa mund ta bëj këtë gjë dhe përderisa e kam fuqinë për të garuar, do ta bëj këtë”.

Suarezi i ka shënuar tetë gola në 13 paraqitje e tij për Barcelonën këtë sezon dhe së fundi u përfol për një transferim të mundshëm në MLS. /Gazeta Express/