Allegri: E kemi ndjekur gabimisht Guardiolan për dy dekada, ‘tiki-taka’ nuk është për këdo

Allegri: E kemi ndjekur gabimisht Guardiolan për dy dekada, ‘tiki-taka’ nuk është për këdo

Filozofia e lojës së Pep Guardiolas, e njohur si ‘tiki-taka’, të cilën e aplikoi te Barcelona, nuk ishte për këdo. Kështu ka konstatuar trajneri italian Massimiliano Allegri.

Në periudhën 2008-2012, strategu spanjoll udhëhoqi një prej skuadrave më të forta në botë, me Lionel Messi, Andres Iniesta dhe Xavi që ishin në kulmin e fuqisë së tyre.

Gjatë atyre viteve, Blaugranët i fituan 14 trofe të mëdha, duke përfshirë tre tituj të La Ligas dhe dy Liga të Kampionëve, duke thyer rekorde të njëpasnjëshme gjatë atij procesi. Guardiola konsiderohej si më meritori dhe si trajner vizionar, ndërsa këtë stil të lojës e implementoi edhe te Bayern Munichu dhe te Manchester City, ku po qëndron nga viti 2016.

Mirëpo, duke qenë se edhe vet Barcelona është tërhequr nga loja e bazuar në posedimin e topit, Allegri beson se futbolli ka vazhduar tutje nga modeli i trajnerit spanjoll dhe po sheh një ngritje të madhe të lojës me kundërsulme.

“Po shoh një rikthim të madh të kundërsulmit. E kemi ndjekur gabimisht Guardiolan për 20 vite. Futbolli i Guardiolas nuk ishte për këdo. Duhet ta kesh Iniestan, Xavin dhe Messin. Morëm një lëndë që ishte e lidhur vetëm me ata si mësim për të gjithë”, ka deklaruar Allegri për Corriere della Sera.

Ndryshe, italiani është pa punë prej se u largua nga Juventusi në fund të sezonit të kaluar, ndërsa është lidhur me klube të ndryshme, si Arsenali e Bayern Munichu.