Fati, pasi shkroi historinë në Champions: Kjo është ëndërr e bërë realitet

Fati, pasi shkroi historinë në Champions: Kjo është ëndërr e bërë realitet

Sulmuesi i talentuar i Barcelonës, Ansu Fati, është bërë lojtari më i ri që shënon gol në histori të Ligës së Kampionëve, pasi realizoi kundër Interit në garën më të madhe evropiane në moshën 17 vjeçe dhe 40 ditë.

Pak minuta pasi u fut në lojë nga banka rezervë, Fati shënoi golin e fitores së Barcelonës 2:1 duke ia shuar përfundimisht shpresat për kualifikim Interit.

Fati e theu rekordin që deri më sot mbahej nga Peter Ofori-Quaye, i cili kishte shënuar për Olympiacosin si 17 vjeç e 194 ditë në vitin 1997.

“Sapo më treguan për rekordin. Unë jam shumë i lumtur për golin dhe për skuadrën me këtë fitore. Ti mendon: “Çfarë kam bërë?”, jam shumë i lumtur. Është një ëndërr e bërë realitet”, ka thënë Fati.

“Unë gjithmonë e them këtë, gjithçka ndodh shumë shpejt. Unë duhet të vazhdoj të punoj dhe të marr mësime nga më të mirët, jam shumë mirënjohës për çdo mundësi që më jepet”.

Ernesto Valverde vendosi të udhëtojë drejt Milanos pa disa prej yjeve kryesore, si kapiteni Lionel Messi, Gerard Pique, Semedo, Jordi Alba dhe Ousmane Dembele, duke qenë se e kishte siguruar kualifikimin në 1/8 e finales dhe pozitën e parë në grup.

Kjo u dha mundësi shumë prej të rinjve të luajnë në garën më të madhe evropiane për klube.

Këtë mundësi e pati edhe Fati, edhe pse për pak minuta nga stoli, por i mjaftuan për ta shkruar historinë në Champions.