Ronaldo: Do të më pëlqente të luaj në finale kundër Realit

Ronaldo: Do të më pëlqente të luaj në finale kundër Realit

Sulmuesi portugez i Juventusit, Cristiano Ronaldo, ka bërë të ditur se atij do t’i pëlqente të luante kundër ish-klubit të vet, Real Madridit, në finale të Ligës së Kampionëve këtë sezon.

Juventusi dhe Real Madridi arritën të kualifikohen për në fazën eliminatore të Ligës së Kampionëve edhe këtë edicion. Dy klubet do të mund të përballen qysh në 1/8 e finales, mirëpo Ronaldos do t’i pëlqente përballja me ish-klubin e tij në finale.

“Real Madridi është një ekip i jashtëzakonshëm. Por, nëse po më pyesni mua, unë do të preferoja të takohesha me ta në një fazë të mëvonshme. Nëse do të ofroni t’i takojmë ata në finale, do të nënshkruaja menjëherë”, ka thënë Ronaldo.

Ai gjithashtu pretendoi se i ka kaluar problemet fizike me të cilat po përballej dhe e lavdëroi paraqitjen e Juventusit në ndeshjen e së mërkurës në Gjermani, kundër Bayer Leverkusenit.

“Unë po ndihem mirë, problemet fizike të cilat i pata tashmë kanë kaluar. I kalova katër javë në dhimbje, por tani po ndihem mirë”, shtoi Ronaldo.

“Skuadra po bën punë të mirë, ne luajtëm shumë mirë në pjesën e dytë të ndeshjes, jemi në krye të grupit tonë, gjërat po përmirësohen edhe për mua. Tani kam më shumë besim dhe shpresoj të vazhdojmë kështu”.

Ylli portugez i ka shënuar nëntë gola për Juventusin në të gjitha garat këtë sezon dhe ai u ndihmua nga Paulo Dybala, i cili ia asistoi mbrëmë golin edhe Ronaldon e edhe Gonzalo Higuainit.

“Edhe kur luaj me Dybalan e edhe kur luaj me Higuainin, e kuptojmë mirë njëri-tjetrin në fushë. Më pëlqen të luaj me të dy. Argëtohemi shumë në fushë, por trajneri i merr vendimet dhe ne duhet t’i respektojmë ato”.