Pronarja e Los Angeles Lakers, Jeanie Buss, e theu heshtjen të enjten në mbrëmje, pas vdekjes tragjike të Kobe Bryant në një aksident helikopteri. Në postimin e saj, ajo e kujtoi legjendën e klubit si familje.
41-vjeçari Kobe Bryant dhe vajza e tij 13-vjeçare Gianna ishin në mesin e nëntë personave që mbetur të vdekur pasi helikopteri me të cilin po udhëtonin të dielën u rrëzua në Los Angeles.
Bota e sportit ka qenë duke e vuajtur vdekjen e papritur të Kobe Bryant që nga e diela. Lutjeve për familjet e viktimave iu ka bashkuar edhe pronarja e Lakers, klubi me të cilin Kobe shkroi historinë në karrierën e tij 20-vjeçare në NBA.
“Kobe, nuk e di si ta shpreh me fjalë se çfarë do të thuash ti për mua, familjen time dhe për Los Angeles Lakers. Babai im [ish-pronari i Lakers, Jerry Buss] të donte ty si djalë, që na bën neve familje”, shkroi Buss në Instagram.
“Kur ti më ftove mua në drekë vetëm pak kohë pasi më vdiq babai, unë e kisha të vështirë të gjej motivim dhe qëllim për jetën time. Kobe, ti e solle Giannan me vete, për të kaluar pak kohë me mua”.
“Ti e sqarove se dëshiroje t’ia dëshmoje asaj se gratë mund të jenë lidere në NBA, njëjtë si burrat. Në fillim, ky më dukej si një veprim i një babai të devotshëm, i cili po e jepte shembull vajzës së tij”.
“Por, në fakt – dhe tani jam e sigurt se e di SAKTËSISHT çfarë po bëje ti – ti e bëre atë për të më frymëzuar dhe për të ma dhënë fuqinë të cilën po e kërkoja. Unë reflektoj për atë ditë dhe kjo më bën të buzëqesh dhe më bën të fortë”.
“Vanessa, Natalia, Bianka dhe Capri – më vjen keq për humbjen tuaj. Ne jemi mirënjohës që ju kemi në jetët tona dhe do të jemi gjithmonë aty për juve. Për familjet e tjera që i humbën të dashurit e tyre të dielën, e gjitha familja e Lakers vajton me ju”.
“Ne do të mbajmë zi së bashku, do të qajmë së bashku, por edhe do të shërohemi së bashku, do të duam së bashku dhe do të fitojmë SË BASHKU. Ne ju duam”, e mbylli letrën Buss, bashkë me linqet për fondacionin MambaOnThree, që është nisur nga shoqata e Bryant Mamba Sports për t’i përkrahur familjet e shtatë të vdekurve të tjerë.