Mënyra si i fiton paratë e saj dhe si arriti të bëhej miliardere Kylie Jenner

Mënyra si i fiton paratë e saj dhe si arriti të bëhej miliardere Kylie Jenner

Nga një yll i serialit real televiziv, përmes reklamimit e drejt industrisë kozmetike, pjesëtarja më e re e klanit Kardashian/Jenner, Kylie Jenner, hyri në listën e miliarderëve të revistës prestigjioze, Forbes.

Ajo e ka shfrytëzuar në mënyrën më të mirë famën e familjes së saj për nisjen dhe zhvillimin e biznesit, dhe në këtë mënyrë u bë miliarderja më e re e vetbërë.

22-vjeçarja arriti në qendër të vëmendjes së opinionit publik kur familja e saj e nisi programin real televiziv, “Keeping Up with the Kardashians”, në vitin 2007 dhe deri më tani ka krijuar një sërë brendesh, nga të cilët më i suksesshmi është ai i kozmetikës që edhe ia mundësoi të bëhej miliardere.

Kylie kaloi shifrën prej një miliard dollarësh pasuri kur ishte 21 vjeçare (në vitin 2019). Në këtë mënyrë, ajo u bë miliarderja më e re në histori dhe miliarderja më e re e vetbërë ndonjëherë. Asokohe Jenner ia rrëmbeu titullin bashkëthemeluesit të Facebookut, Mark Zuckerberg, i cili u bë miliarder në vitin 2008 si 23 vjeçar, ndërsa bashkëthemeluesi i Microsoftit, Bill Gates, ishte bërë miliarder si 31 vjeçar në vitin 1987.

Ka të tillë që e konsiderojnë të pavërtetë pohimin se Jenner është një miliardere e vetbërë, duke qenë se ajo është pjesë e një familjeje të pasur dhe të famshme. Megjithatë, ajo është pjesëtarja më e pasur në klanin Kardashian/Jenner, ndërkohë që motra e saj Kim ka një pasuri në vlerë prej 350 milionë dollarësh.

Mbretëria kozmetike e saj, kompania e makijazhit Kylie Cosmetics, ka grumbulluar miliona dollarë nga viti 2015, ndërsa në vitin 2019, Forbes e ka vlerësuar atë në 900 milionë dollarë. Pas nënshkrimit të marrëveshjes shpërndarëse me Ulta Beauty (verën e vitit 2018), shitjet u rritën jashtëzakonisht shumë, saqë gjashtë javë pas marrëveshjes, kishte përfituar 54.5 milionë euro. Ndërkaq, pritet që deri në vitin 2022, vetëm kompania Kylie Cosmetics të kalojë vlerën e shitjeve prej një miliard dollarësh.