Setien flet para ‘El Clasico’, këto janë pritshmëritë e tij

Setien flet para ‘El Clasico’, këto janë pritshmëritë e tij

Setien do ta drejtojë për herë të parë Barcelonën në një ‘Clasico’ dhe e di se ndeshja ka rëndësi shumë të madhe.

Megjithatë, ai konsideron se kjo ‘Clasico’ do të jetë më e rëndësishme për Realin, sesa për skuadrën e tij.

Më poshtë lajmi.net ua përcjell disa nga fjalët e Setien, para ‘Clasicos’ që luhet të dielën.

“E kaluara nuk numërohet për asgjë tani, pasi secila ndeshje është ndryshe. Kjo është një ndeshje e rëndësishme për ne, për lidershipin që mund të marrim në tabelë. Është kyçe, ndoshta jo ndeshje vendimtare për ta, por është më e rëndësishme për ta (Real Madrid) sesa që është për ne, sepse nëse ne fitojmë, atëherë shkojmë pesë pikë përpara” ka thënë fillimisht Setien, transmeton lajmi.net.

“E di se do të jetë ndeshje e barabartë, e cila do të ketë alternativa. Do të jetë si një ‘Clasico’ e zakonshme. Deri më tani, unë kam shikuar gjithmonë këto ndeshje në shtëpi, ose në tribuna. Ka shumë emocione për shumë njerëz. Ne të gjithë duam të fitojmë për skuadrën dhe të luajmë mirë. Këto janë ndeshje speciale” ka shtuar trajneri.

Ndërkohë, kjo do të jetë klasikja e parë për Setien, dhe do të luhet në ‘Bernabeu’. Ai ka folur edhe lidhur me këtë.

“Është gjithmonë e rrezikshme në shtëpinë e tyre, ku ata luajnë. Kur loja fillon, gjithçka harrohet. Ti e di se çfarë do të kesh nga Barcelona ose Real Madrid dhe ti mendon rreth lojës dhe bën më të mirën e mundshme. Kur fillon, çdo gjë është në duart e lojtarëve”.

“Kjo shton tensionin, gjë që mendoj se nuk ka shumë influencë. Do të isha më i lumtur për tifozët sesa për vetën, nëse fitojmë. E di përgjegjsinë që ne kemi, jo vetëm në këtë ndeshje. Le të shpresojmë që do të marrim një fitore për tifozët tanë, sepse të sjell më afër synimit për ta fituar ligën” ka thënë ndër të tjerash Setien, transmeton lajmi.net.

Quique Setien më herët ka publikuar edhe listën me lojtarët e ftuar, ku sigurisht mungojnë emra të rëndësishëm si pasojë e lëndimeve.

Mbetet të shihet se si ish trajneri i Real Betis do ta vendos skuadrën e tij për ndeshjen më të rëndësishme në futbollin spanjoll.